Mbrojtësi pa asnjë të verdhë, Enri Tafaj tregon sekretin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 10, 2012 | 14:28

Mbrojtësi pa asnjë të verdhë, Enri Tafaj tregon sekretin

Gjatë pjesës së parë të sezonit, një ndër ata që u dalluan për korrektësi ishte edhe ish-futbollisti i Kamzës Enri Tafaj. Ai erdhi në Berat për të luajtur si mesfushor, por u kthye në një mbrojtës titullar në formacionin beratas. Tafaj dallon në këtë fazë si i vetmi futbollist që i luajti të 13 ndeshjet e kësaj faze duke mos u ndëshkuar me asnjë karton, ndonëse luajti në repartin e prapavijës. Në një bisedë për “Panorama Sport”, tiranasi i Tomorit shprehet se dëshiron t’i qëndrojë besnik skuadrës deri në fund të sezonit. Deklarata – “Ishte eksperienca ime e parë në Berat kjo e këtij sezoni, pas asaj të sezonit në Kamzë. Mendoj se faza e parë nuk shkoi aspak sipas pritshmërive tona, sepse jemi renditur të fundit dhe më keq se kaq nuk mund të shkonte. Megjithëse më vjen keq ta them, kjo fazë e parë mund të quhet e dështuar dhe tashmë nuk na mbetet gjë tjetër veçse të mendojmë për pjesën e dytë. Ndoshta distanca në pikë që kemi nga vendi i dhjetë të tremb paksa, megjithatë nuk mund të shihet si e paarritshme, pasi në futboll gjithçka është e mundur deri në momentin që matematika të lejon. Por, duhet që klubi të qartësojë objektivat për këtë pjesë të dytë të sezonit. Sa i përket aktivizimit tim, mendoj se jam përpjekur të bëj në maksimum detyrën time në fushë. Sa herë që tekniku më ka thirrur, kam qenë i gatshëm për të luajtur dhe kam dhënë maksimumin”, – shprehet Tafaj. Ndërsa për të ardhmen e tij në Berat, mbrojtësi thotë: “Jam një futbollist i Tomorit deri në fundin e sezonit dhe dua t’i qëndroj besnik dhe korrekt kontratës që kam firmosur në start. Por, uroj që drejtuesit ta kenë mirëmenduar konfigurimin e skuadrës për këtë fazë, sepse kemi nevojë për afrime. Vetëm më pas mund të shpresojmë për qëndrimin në elitën e futbollit shqiptar”, – përfundon Tafaj. Ndërkaq, nesër pritet që futbollistët që mbyllën fazën e parë në Berat të rikthehen për t’u takuar me drejtuesit për të vendosur për të ardhmen.
Elton Çela

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"