Mançester Junajtid i gjithi në sulm, 70 milionë euro për yllin argjentinas të Juventusit
Paulo Dibala me siguri nuk po kalon periudhën e tij më të mirë te Juventusi. Trajneri Masimiliano Alegri e ka ulur në pankinë në tri ndeshjet e fundit (radhazi) të kampionatit, një sinjal i qartë se te bardhezinjtë asnjëri nuk e ka vendin e garantuar. Kësaj i shtohen edhe zërat e merkatos: përveç Realit të Madridit, Paris Shën Zhërmenit dhe Barcelonës gati të bëjnë marrëzi për të marrë shërbimet e “La Joya”-s së Juves, edhe Zhoze Murinjo kërkon ta bëjë pjesë të skuadrës së “Djajve të Kuq”.

Sipas të përditshmes britanike “Daily Star”, Mançester Junajtid po përgatit një ofertë prej 70 milionë eurosh për argjentinasin që kohët e fundit e ka humbur shkëlqimin e tij në Torino. Në Angli duket të kenë bërë edhe planin për të realizuar këtë transfertë, megjithëse shifra për të bindur “Zonjën” duhet të jetë shumë më e lartë se ajo e menduar nga tekniku portugez.
NDËRMJETËSI – Njeriu kyç për këtë manovër mund të jetë Havier Ribalta që, nga shefi i zbulimit të talenteve të Juves, ka kaluar te klubi anglez. Dhe raportet direkte mes klubeve lehtësojnë më shumë operacionin e transferimit, veçanërisht pas kalimit të Pol Pogbasë në Mançester.
Për momentin, të gjitha këto mbeten zëra të merkatos, ndërsa Alegri, në krahun tjetër, po përpiqet ta kthejë përsëri në bomberin e fillimit të këtij sezoni.













