Luzi “shkërmoq” Lushnjën dhe shpreson te mbijetesa. Trajneri Ferraj: Fitore e merituar, luftojmë me shpirt e “fair play”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 15, 2024 | 22:02

Luzi “shkërmoq” Lushnjën dhe shpreson te mbijetesa. Trajneri Ferraj: Fitore e merituar, luftojmë me shpirt e “fair play”

Luzi 2008 “shkërmoqi” Lushnjën, duke e mundur pastër në shifrat 4-0 dhe shanset i pati për një “tren” golash. Bazuar në lojë dhe rezultate, Luzi është dukshëm ekip më cilësor sesa Burreli, Kastrioti, Lushnja dhe ndonjë ekip tjetër, pa folur për Tomorin.

luzi feston

Me këtë fitore bindëse luznjakët shpresojnë shumë te sigurimi i mbijetesës në 4 javët e mbetura, kur dihet se krutanët janë tre pikë larg dhe në distancë katërt pikëshe ndodhen Burreli, Besa dhe Lushnja. Luzi e nis në sulm duke dëshmuar se kërkonte ta fitojë patjetër takimin. Pas disa rasteve për shënim, goli i parë i Luzit u shënua në minutën e 18-të me autor Patrik Trenin, i cili pasi zhbalancoi tre mbrojtës të Lushnjës e dërgoi rezultatin në 1-0. Rastet nga vendësit nuk kanë të sosur, por pjesa e parë u mbyll me golin e Trenit.

Mandela ka një mundësi në minutat e para, por atë që nuk e bëri sulmuesi afrikan e realizoi Redi Veriu në minutën e 62-të, kur me kokë shënon dhe 2-0 për Luzin. Pas këtij goli lushnjarët rrezikojnë me një gjuajtje të kapitenit Cana, por pa rezultat. Luzi nuk “ngopet”, duke shënuar edhe dy gola të tjerë me Itodo Mandelën, i cili gjeti dy herë rrugën e rrjetës në minutat 82 e 85. Takimi përfundon në shifrat 4-0, me një Lushnjë të dorëzuar e që rrezikon shumë për mbijetesën, ndërsa Luzi me 3 “muskitierët” Treni, Mandela e Veriu gëzon dhe shikon dritë në fund të tunelit. Trajneri Magani u largua pas humbjes pa dhënë asnjë prononcim për ndeshjen.

TRAJNERI I LUZI 2008

Nertil Ferraj, njëri nga trajnerët i Luzi 2008, pas suksesit tha: “Një fitore plotësisht e merituar, që tregoi mbi të gjitha forcën tonë. Dominuam në çdo drejtim duke shënuar 4 gola dhe humbur disa raste flagrante. Fituam një finale dhe do të kërkojmë fitimin e sfidave të tjera që na kanë mbetur. Si trajner dhe si ish–futbollist, më vjen keq kur shikoj këta djem të talentuar dhe që luftojnë me shpirt e ‘fair-play’ të rrezikojnë rënien”.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"