Lushnja blindon prapavijën, Ervis Kaja: Erdha prej tifozërisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 29, 2017 | 18:56

Lushnja blindon prapavijën, Ervis Kaja: Erdha prej tifozërisë

Mbrojtësi Ervis Kaja është afrimi i fundit i verdhejeshilëve dhe i shtati për këtë verë në skuadrën e teknikut Artan Bano. Kavajasi ka dalë dje në stërvitje me verdhejeshilët dhe sot do të firmosë kontratën. Lajmin e ka konfirmuar për gazetën “Panorama Sport” sekretari i klubit verdhejeshil, Irakli Zaka, duke u shprehur: “Tashmë, Kaja është futbollisti ynë. Ka filluar dje stërvitjen me skuadrën tonë. Do të bëj gati kontratën dhe sot do të hidhen firmat”, është shprehur shefi i verdhejeshilëve, Zaka.

kaja

Prononcimi

Mbrojtësi kavajas është shprehur i kënaqur që ka gjetur akordin me verdhejeshilët. Pas dy periudhave me Besën, Laçin, Tomorin, Dinamon, Tiranën, Apoloninë dhe Korabin, Lushnja do të jetë një tjetër eksperiencë për mbrojtësin 30- vjeçar dhe skuadra e tetë në karrierë. Për gazetën “Panorama Sport”, “afrimi i ri” i verdhejeshilëve shprehet:

“Jam shumë i kënaqur që arrita marrëveshjen me Lushnjën. Falënderoj trajnerin Bano dhe drejtuesit e Lushnjës për besimin që kanë tek unë. Do t’ua shpërblej atyre duke dhënë maksimumin tim. Zhvillova stërvitjen e parë dhe falënderoj tifozët e Lushnjës për mikpritjen sportive. Një nga disa arsyet që mbylla me Lushnjën është tifozeria e madhe e Lushnjës. Sot do të firmos kontratën dhe zyrtarizimi te Lushnja është vetëm një formalitet”, tha Kaja pas stërvitjes së parë.

Miqësoret

Nesër pasdite lushnjarët kanë në program një takim miqësor që do të jetë i gjashti për ta në përgatitjet e verës. Skuadra verdhejeshile do të udhëtojë drejt stadiumit “Bashkim Sulejmani” të Kuçovës. Përballë lushnjarëve do të jetë Naftëtari. Klubi lushnjar ka në program një tjetër miqësore në fundjavë që me shumë mundësi do të luhet ndaj Teutës.

Alban Alushi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"