Luftëtari merr fantazistin serb, ka luajtur me Deden

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2012 | 13:48

Luftëtari merr fantazistin serb, ka luajtur me Deden

Trajnerit të Luftëtarit, Nevil Dede, i është dashur të “shkojë” deri në Kinën e largët për të gjetur fantazistin serb, Milan Nikoliç. Në vitin 2008, tekniku aktual i gjirokastritëve ka luajtur në një skuadër me Nikoliç. Bëhet fjalë për aventurën e shkurtër në Kinë me Changsha Ginde. Dikur shokë të të njëjtit ekip, tashmë mesfushori 29- vjeçar do të vihet në urdhrat e Dedes. Miqësorja me Flamurtarin në Vlorë tregoi se Luftëtari gjeti atë që i mungonte. Dëmtimi i Nertil Stojës kishte hapur një gropë në mesfushë, por tashmë ardhja e Nikoliçit i ka entuziazmuar drejtuesit bluzinj. Dhe trajnerit Dede nuk i shkoi “huq” rruga. Mesfushori shkëlqeu ndaj vlonjatëve, ashtu si e gjithë skuadra gjirokastrite, që bëri një prezantim dinjitoz, ndonëse barazuan 1-1. Teksa veshi fanellën me numrin 11, serbi ndihmoi mjaftueshëm bluzinjtë në lojë. Kësisoj, njohja e vjetër e Dedes pritet të jetë një “armë” më shumë në repartin e mesfushës, aq më tepër kur prej kohësh drejtuesit e klubit të Luftëtarit ishin vënë në kërkim të një fantazisti. Vizioni i mesfushorit serb u dha veprimeve të gjirokastritëve më shumë bukuri, falë dhe lëvizjeve të shpejta në krahë të dy mesfushorëve, Liçaj dhe Mersini. Ndërkaq, nga sa mësohet, ai pritet të firmosë sot për gjirokastritët.
Trajneri – Përpos rezultatit të merituar 1-1, edhe pse një përballje miqësore, ai që ka mbetur më shumë se i kënaqur nga të tijtë është trajneri Nevil Dede. Ja se si u shpreh ai: “Më shumë se rezultati, më gëzon fakti se në këtë takim kemi fituar dy lojtarë, si Liçaj dhe Nikoliç, të cilët bënë një paraqitje mjaft të mirë”. Megjithatë, shqetësim për numrin një të pankinës gjirokastrite duket se është edhe sulmuesi kamerunas, Stive Fanka, i cili duket se ka dhe fatin kundër, pasi nuk po i ndahen dëmtimet. Ndaj trajneri Dede mbetet në pritje rikuperimit të plotë të kamerunasit, e kësisoj do të vendosë dhe pikat mbi “i” sa i përket të ardhmes së tij.

TEST TË MËRKURËN
Luftëtari do t’i rinisë sot përgatitjet, në kuadër të sezonit të ri futbollistik. Pasi janë lënë një ditë pushim nga stafi teknik, bluzinjtë do t’i presë një tjetër sfidë miqësore në mesjavë. Kësaj here ata do të përballen me Bylisin. Nga sa mësohet, kjo përballje do të luhet në Gjirokastër. Trajneri Dede do të ketë edhe njëherë mundësinë të shohë më nga afër formën e të tijve.

RIKTHIMET
Të gjithë lojtarët e Luftëtarit do të jenë sot nën urdhrat e trajnerit Nevil Dede, për të startuar javën e re të përgatitjeve. Dëmtimeve të lojtarëve, si Shenaj, Miliç, Braho, Nino, Fanka, duket se u ka ardhur fundi, pasi mësohet se ky grup lojtarësh do të jetë pjesë kontingjentit të numrit një të pankinës gjirokastrite, Nevil Dede, në miqësoren e mesjavës, që do ta zhvillojnë ndaj ballshiotëve.
Tomorr Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"