“Luftë” për një pikë, Partizani barazon në Laç. Trajneri Duro: Raçiç, “bast” im i fituar

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Gusht 25, 2014 | 15:02

“Luftë” për një pikë, Partizani barazon në Laç. Trajneri Duro: Raçiç, “bast” im i fituar

Laci-Partizani 1-1, Racic ka shenuar golin e pare me te kuqteLAÇI-PARTIZANI  1-1
GOLAT: Doku 55’/ Raçiç 46′
LAÇI: Vujadinoviç, Çarls (Cetkoviç 77′), Buljan, Sheta, Sefgjini, Teqja, Doku, Zefi, Veliaj (Thorja 77′), Nimani, Xhejms. (Në pankinë: Llani, Çela, Ndreca, Kehinde). Trajner: Armando Cungu
PARTIZANI: Hoxha, Fejzullahu, Rrahmani, Dishilev, Cuculi, Nexhipi, Batha, Mazrekaj(91′ Trashi), Vatnikaj(Mustafa 46′), Vila (Fazliu 78′), Raçiç. (Në pankinë: Xhika, Ibrahimi, Muskaj, Daja). Trajner: Shpëtim Duro
KARTONË TË VERDHË: Veliaj 44′, Teqja 85’/Cuculi 52′, Batha 71′, Mazrekaj 89′
VËZHGUES: Ilir Kristo (Tiranë)
DELEGAT: Millan Baçi (Tiranë)
GJYQTARET: L.Alla (Lushnjë), E.Doda (Tiranë), D.Koreshi (Lushnjë)

MINUTAT
2’Fejzullahu nga e djathta shërben për Vatnikajn që gjuan, por jashtë kuadratit të portës së Laçit.
6′ Sefgjini provon nga distanca, por goditja e tij është e lehtë, pret Hoxha.
11’Goditje dënimi për Partizanin. Gjuan Cuculi, topi përplaset në murin e krijuar nga laçianët.
19′ Batha thyen një aksion të vendësve, lëshon një top për Vilën brenda zonës. Mesfushori shmanget nga e djathta, gjuan, por topi ndalet në shtyllën pingule.
29′ Portieri Hoxha lëshon një top të gjatë për Vatnikajn, që kombinon me Emiljano Vilën, gjuan, por topi përfundon jashtë.
33′ Sërish Vila provon të rrezikojë portën e mbrojtur nga Vujadinoviç, por topi përfundon jashtë, ndonëse në zonë ka një pretendim për penallti, pasi Raçiç bie në fushë pas kontaktit me Çarls.
34′ Xhejms kërkon të rrezikojë nga 30 metra, por topi përfundon jashtë.
45+3′ Nimani nga e majta merr një top të gjatë, i afrohet fundores dhe me gjuajtjen e tij shmang edhe daljen e portierit Hoxha, por në fund topi përfundon mbi traun e portës.
46′ Mazrekaj nga e majta lëshon një top në zonë, Raçiç i harruar nga mbrojtja laçiane, me këmbën e majtë e godet topin dhe shënon, 0-1.
53′ Xhejms kërkon të përfitojë nga një përgjumje e mbrojtjes së Partizanit, gjuan lehtë, pret Hoxha.
55′ Zefi i rrëmben topin Rrahmanit, pason te Xhejms, i cili hyn në zonë dhe pason për Dokun, që nuk e ka të vështirë ta dërgojë topin në rrjetë, 1-1.
58′ Batha nga e djathta provon me një gjuajtje nga distanca, Vujadinoviç largon rrezikun.
62′ Xhejms në hyrje të zonës së Partizanit shmang Dishliev, godet, largon portieri Hoxha.
64′ Nexhipi ekzekuton një goditje standarde, pret Vujadinoviç.
86′ Batha kërkon të rrezikojë portën kurbinase me një goditje standarde, por pret Vujadinoviç.
94′ Cetkoviç merr një top nga shokët e skuadrës në hyrje të zonës, gjuan, por topi devijohet nga Cuculi.

Sezoni futbollistik 2014-2015 ka nisur me barazim për skuadrën e trajnerit, Armando Cungu, ku në fushën e tyre prisnin të kuqtë e kryeqytetit. Takimi Laçi-Partizani u mbyll në shifrat 1-1 ku të parët ishin kryeqytetasit që shënuan në minutën e 46-të me Raçiç, ndërsa nëntë minuta më vonë kurbinasit barazojnë me Dokun. Ndonëse të dy trajnerët janë dukur të mërzitur në fund të ndeshjes, pasi mendonin se kanë lënë dy pikë, e përgjithshmja e kësaj sfide tregoi se barazimi mbase ishte rezultati më i drejtë. Në pjesën e parë Partizani ishte superior ndaj vendësve, ndërsa pas shënimit të golit, të besuarit e trajnerit Duro tërhiqen dhe vendësit marrin në dorë frenat e lojës. Përveç barazimit në fushë, edhe në shkallët e stadiumit dukej e njëjta gjë, pasi nga Tirana kishin udhëtuar drejt Laçit me qindra tifozë të kuq. Në këtë takim të parë u duk qartë se largimi i kapitenit Vucaj ka lënë boshllëk te laçianët, të cilët, në pjesën e parë, patën vështirësi në organizimin e lojës. Por me afrimet e fundit të Cetkoviç dhe të Memellit pritet që në javët në vijim, Laçi të jetë më i konsoliduar. Ndërsa Partizani i këtij sezoni u paraqit në Laç me ndryshime rrënjësore, ku edhe arritën të marrin një pikë, kur dihet se në dy përballjet e sezonit të shkuar në Laç, të kuqtë kanë dalë të humbur.
Pjesa e parë Takimi nis me një Partizan më këmbëngulës dhe dominues ndaj kundërshtarit, ndonëse luanin në transfertë. Trajneri Duro hedh në fushë dy sulmues, serbin Raçiç dhe 19-vjeçarin Vatnikaj, të cilët në çdo moment ushtronin presion ndaj Laçit që në 20-30 metrat e para të fushës. Pra, që në fillim u pa një Partizan që ushtronte presion duke bërë që vendësit të humbisnin terren në gjysmëfushën e tyre. Në këtë pjesë të parë gjithçka ishte nën kontrollin e të kuqve, të cilët patën edhe rastet më të shumta për shënim. Rastin më të pastër për shënim e ka Vila në minutën e 19-të, por topi i goditur nga mesfushori ndalet nga shtylla pingule. Raçiç, Vatnikaj dhe Vila përbëjnë rrezik në çdo moment për kurbinasit, të cilët duken të pamundur që të organizojnë një aksion të rrjedhshëm. Në minutën e 33- të miqtë pretendojnë për një penallti, pasi Vila nga e djathta lëshon një top në zonë, por Raçiç bie në tokë pas kontaktit me Çarls. Gjyqtari Alla vijon lojën. Në minutën e tretë shtesë Nimani ka një mundësi shënimi nga e majta e sulmit, por finalizimi nuk ishte i duhuri dhe 45 minutat mbyllen 0-0.
Pjesa e dytë Trajneri Duro e nis lojën me një zëvendësim. Mustafa hyn në vend të Vatnikajt, gjë e cila paralajmëronte ndryshime në vendosje dhe pritej një Partizan më i tërhequr. Loja nis shumë mirë, pasi pa u mbyllur minuta e parë, të kuqtë shënojnë golin e avantazhit. Mazrekaj merr bukur krahun e majtë dhe nga fundorja lëshon një top “të artë” për Raçiç. Serbi i harruar nga mbrojtja laçiane, me të majtën e godet topin dhe shënon 0-1. Por goli duket se pati dy anët e medaljes, pasi të kuqtë tërhiqen e lëshojnë terren, ndërsa kurbinasit menjëherë marrin frenat e lojës, ku nigeriani Xhejms përbën rrezikun kryesor duke provuar në disa raste. Në minutën e 55-të Xhejms përfiton nga gabimi i Rrahmanit dhe hyn në zonë, pason për Dokun që nuk e ka të vështirë ta dërgojë topin në rrjetë, 1-1 Zefi i rrëmben topin Rrahmanit, pason te Xhejms, i cili hyn në zonë dhe pason për Dokun, që nuk e ka të vështirë ta dërgojë topin në rrjetë, 1-1. Edhe pas golit të barazimit vijon këmbëngulja e vendësve, ndërsa Partizani duket i tjetërsuar nga ajo që paraqiti në pjesën e parë, pasi mesfusha sundohet nga vendësit. Në minutën e 77-të trajneri Cungu aktivizon malazezin Cetkoviç në fushë, në vend të mbrojtësit Çarls. Mesfushori i dha më shumë gjallëri lojës së Laçit, por mbrojta e Partizanit arriti ta marrë veten pas gabimit që bëri në rastin e golit të barazimit. I gjithë takimi mbyllet në barazim, kështu që fillimi i kampionatit nisi me nga një pikë për Laçin dhe Partizanin.

MË I MIRI
Mesfushori Alfred Zefi ishte iniciatori i golit të barazimit për Laçin. Zefi ishte lojtari që i rrëmbeu topin Rrahmanit e më pas aksioni i nisur prej tij merr vijueshmëri nga Xhejms, i cili pason për Dokun që realizon golin e barazimit. Në këtë sfidë Doku bëri mjaft mirë edhe si mesfushor i djathtë. Te Partizani spikatën Batha dhe kapiteni Nexhipi. Gjithashtu edhe sulmuesi Raçiç, i cili luftoi shumë e shënoi golin e avantazhit për të tijtë.

MË PAK AKTIVI
Mbrojtësi Amir Rrahmani mban përgjegjësinë në rastin e pësimit të golit, pasi ai humbi topin në hyrje të zonës. Por, në këtë rast, peshë faji kanë edhe shokët e tij të repartit mbrojtës, që nuk arritën të dublonin shokun e tyre në rastin e golit të Laçit. Jashtë formës së tij më të mirë dukej edhe mesfushori Vila, prej të cilit pritej më shumë. Te Laçi, ndihej mungesa e Vucajt në mesfushë dhe mbrojtja mban peshën e fajit te goli i Raçiç.

Cungu Armando ne ndeshjen Kukesi-Flora Talin 0-0Cungu: Laçi la dy pikë, meritonim fitoren
Trajneri Armando Cungu ka debutuar me barazim me Laçin, por sipas tij ekipi e meritonte fitoren ndaj Partizanit. “Luanim në shtëpi e qëllimi ishte t’i merrnim ne frerët e lojës, çka nuk ndodhi në pjesën e parë të takimit. Ndoshta skuadra pati disi frikë në fillim e kjo ishte ajo që e pengoi. Patëm mundësitë tona, por nuk arritëm të shënonim. Në pjesën e dytë u futëm në fushë me një frymë tjetër. Mendoj se e dominuam lojën e patëm disa mundësi të mira shënimi. Kundërshtari gjatë fraksionit të dytë pati vetëm një mundësi shënimi, ndaj them se në këtë sfidë kemi humbur dy pikë. Çdo ekip ka objektivat e veta dhe fundi i kampionatit do t’i tregojë mundësitë e të gjithëve. Lojtarët e mi e rritën shumë ritmin e lojës në pjesën e dytë, teksa skuadra tregoi karakter e shpirt të lartë gare. Dua t’i përgëzoj djemtë për shpirtin e lartë të garës që treguan në fushë. Sa i takon nisjes së aventurës sime me Laçin, unë garantoj që do vijoj të punoj me pasion dhe me korrektësinë maksimale, ashtu siç kam bërë edhe te Kukësi. Kjo është ajo çka mund të garantoj unë si trajner. Grupi është i mirë, ka konkurrencë, por largimi i Vucajt na la një boshllëk, pasi ndodhi së fundmi. Pamë në lojë malazezin Cetkoviç, i cili nuk është në maksimumin e tij, por dha shenja pozitive. Gjithashtu është afruar edhe Memelli, që ka zhvilluar një seancë stërvitore me ne. Gjithsesi, në ditët në vijim, do të krijojmë një ide të qartë mbi formën e lojtarit, që sigurisht i duhet dhënë koha e duhur”, tha trajneri Cungu pas ndeshjes.

Doku i Lacit“Doja fitoren në start, golin ia dedikoj djalit”
Lojtari i linjës së djathtë, Elton Doku, i cili u rikthye te bardhezinjtë këtë sezon, shprehet i kënaqur për golin e shënuar ndaj Partizanit, të cilin ia dedikon djalit të tij Loelit. Sigurisht për të gëzimi do të ishte më i madh nëse skuadra do të kishte dalë nga fusha e lojës me pikë të plota. “Ishim përgatitur për një ndeshje të vështirë, pasi e dinim që përballë kishim një kundërshtar të fortë si Partizani. U përpoqëm të bënim më të mirën në fushë, duke krijuar disa mundësi shënimi që në pjesën e parë të takimit. Në pjesën e dytë u ndëshkuam shpejt, por reaguam duke treguar grintë në fushën e lojës dhe arritëm të barazonim shpejt e të kërkonim fitoren në minutat në vazhdim. U përpoqëm, por nuk arritëm t’ia dilnim mbanë. Goli? Sigurisht që më gëzon goli i shënuar, por fitorja në këtë nisjekampionati do të kishte qenë shumë më e rëndësishme. Dua që golin t’ia dedikoj djalit tim Loelit, të cilin e kam tifozin tim personal e tifoz të Laçit. Ai fare i vogël ka pasur mundësinë të ngrejë edhe Kupën e Shqipërisë së bashku me mua para dy vitesh. Tashmë do të përqendrohemi te sfida e radhës me Skënderbeun dhe do të bëjmë maksimumin gjatë seancave stërvitore për të qenë të gatshëm për këtë transfertë të vështirë”, u shpreh Doku.

Stevan Racic prezantohet te PartizaniDuro: Raçiç, “bast” i fituar
Në dallim nga Partizani i sezonit të shkuar, që u drejtua nga dy trajnerë, Hasan Lika dhe Marcio Sampaio, Shpëtim Duro që në debutim ka arritur të marrë pikë në Laç. Sezonin e shkuar të kuqtë nuk morën asnjë pikë në dy transfertat e Laçit. Nëse para ndeshjes do të ishte i kënaqur me një pikë, pas sfidës së djeshme Duro ka qenë i mendimit se Partizani duhet të largohej nga Laçi me pikët maksimale. Raçiç konsiderohet basti i parë i fituar i Duros. “Kemi zhvilluar një pjesë të parë të mirë, gjatë të cilës lojtarët i kryen më së miri detyrat e dhëna, duke ushtruar presion lart, si dhe bllokuar kundërshtarin. Patëm rastet tona gjatë ndeshjes, ku mund të realizonim edhe në pjesën e parë. Ndërsa goli i pësuar erdhi si pasojë e një gabimi individual në mbrojtje. Në pjesën e dytë ndoshta toleruam disi, duke e humbur mesin e fushës dhe Laçi ishte pak më lart se ne, por pa na rrezikuar seriozisht. Edhe ne patëm momentet tona, por nuk ishim të saktë në pasin e fundit. Cungu tha se humbëm dy pikë? Nëse do të më thuhej se a je i kënaqur me barazimin para ndeshjes, edhe mund ta pranoja, duke ditur që Laçi në fushën e vet pak gabon e ka ekip cilësor. Mirëpo tani, pas takimit, jam i mërzitur me këtë rezultat, pasi Partizani ishte më superior se Laçi dhe habitem se si trajneri Cungu mendon se ka humbur dy pikë. Raçiç? Ky sulmues është basti im i parë i fituar me të gjithë, pasi kanë thënë se kemi afruar një sulmues enigmatik. Ai bëri detyrën në fushën e lojës, duke shënuar dhe vënë në vështirësi shpesh mbrojtjen kundërshtare. Ai është një lojtar i rëndësishëm për Partizanin, ashtu si dhe Vila, i cili sot nuk ishte në 100% të mundësive të tij. Vlerat e tij nuk përcaktohen me një ndeshje. Pastaj mos harroni se e nisëm lojën me një lojtar 19- vjeçar, Vatnikaj, që ka ardhur nga ekipet e moshave dhe premton shumë. Them se në këtë ndeshje Partizani dha shenja pozitive për të ardhmen e mos të harrojmë se në transfertën e Laçit mungonte Shabani, që është një lojtar shumë i mirë. Gjithashtu javën e ardhshme presim edhe një tjetër mesfushor. Pra, skuadra është e plotë e kam shumë alternativa e merkatoja, siç e kam thënë, është e mbyllur për ne. Te Partizani ka konkurrencë, pasi jemi kompletuar në çdo sektor, kur dihet se para tri ditësh kemi afruar edhe një lojtar të shpejtë e cilësor si Fazliu”, u shpreh trajneri Shpëtim Duro.

“Ultras Guerrils” ndezin stadiumin e Laçit
Në sfidën mes Laçit e Partizanit, ishin tifozët miq ata që e mbajtën më së shumti atmosferën lart me këngë e brohoritje për ekipin e tyre. Rreth 500 tifozë, me në krye “Ultras Guerrils”, kishin udhëtuar drejt Laçit me 6 autobusë të vendosur nga klubi dhe me makina personale. Vendësit duket se ua kishin dorëzuar të gjithë skenën miqve, të paktën në 45 minutat e para kur shprehjen “Para Laçi” vetëm mund të shihje në shallin e ndonjë tifozi kurbinas. Pjesa e dytë ndryshon, teksa goli i pësuar ingranon tifozërinë vendëse që mundohet të mbështetë skuadrën e tyre, por numri i tyre nuk shkon më shumë se 800. Një situatë të tillë në Laç nuk do ta mendonte edhe më pesimisti. Arsyet e kësaj ftohjeje nuk dihen, por tifozëria vendëse këtë herë merr notën 4, ndërsa miqtë meritojnë notën 10.
VLADIMIR PRENGA






www.minuta90.com