Liga e Europës: Interi kualifikohet me drithërima, Lacio OK

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 31, 2012 | 9:24

Liga e Europës: Interi kualifikohet me drithërima, Lacio OK

Interi e ka nisur në mënyrë të shkëlqyer këtë sezon, por në Evropë po avancon me shumë probleme. Pavarësisht se zikaltrit duket se e blindojnë kualifikimin që në ndeshjen e parë, ashtu siç ndodhi me Hajdukun (0-3 në Kroaci) dhe më pas me Vasluin (0-2 në Rumani), në sfidat e kthimit ata gjithmonë kanë dashur të bëjnë dyfishin e punës për të siguruar biletën e turit të ardhshëm. E njëjta gjë ka ndodhur edhe dje në stadiumin “San Siro” përballë rumunëve të Vasluit. Pas suksesit 2-0 në transfertë, Interi dje e ka parë veten ngushtë, teksa mbyllte pjesën e parë me disavantazhin 1-0 dhe me 10 futbollistë. Portieri Kastelaci shkakton një ndërhyrje të parregullt në zonë dhe, përveç kartonit të kuq, fal edhe penalltinë. Por, në pjesën e dytë, skuadra e Stramaçonit ka ditur të reagojë dhe, pavarësisht rreziqeve të shumta, ajo i ka barazuar shifrat në minutën e 76-të me Palasion, por tre minuta më vonë rreziku i eliminimit është bërë më i fortë se kurrë, kur Varela çon shifrat në 2-1. Kjo do të thoshte se një tjetër gol i Vasluit do ta nxirrte jashtë Evropës skuadrën milaneze por, fatmirësisht, qetësia totale do të vijë në kohën shtesë, në minutën e 92-të, kur Guarin realizon dhe vulos kualifikimin, përpara 51 mijë tifozëve, të cilët pas lotëve të Hulio Sezarit kanë rrezikuar të qajnë për eliminimin e tyre nga Liga e Evropës.
Lacio pa probleme Edhe Lacio e Lorik Canës kalon pa probleme kundër Murës. Pas suksesit 2-0 në ndeshjen e parë, dje ka ardhur një tjetër fitore, këtë herë në shifrat 3-1, për skuadrën e drejtuar nga Vladimir Petkoviç. Bardhekaltrit kanë arritur të sigurojnë kualifikimin që në pjesën e parë. Kozak dhe Zarate realizojnë respektivisht në minutat 30 dhe 42, por shifrat shkojnë në 3-0 në fillim të pjesës së dytë, kur ai që do festojë do të jetë sërish gjigandi Kozak. Për Muran, lamtumira nga Evropa vjen me golin e nderit të shënuar nga Tranver, dy minuta nga fundi i takimit.
Liverpuli kalon Sfidë e frikshme ka qenë ajo mes Liverpulit dhe Hartsave. Këta të fundit, pas një ndeshjeje të luajtur në qetësi të plotë, gjejnë avantazhin pesë minuta nga fundi i takimit, kur Templeton mposht Reinën. Kjo do të thoshte se sfida mund të përfundonte në kohën shtesë, por bomberi uruguaian, Luis Suarez, gjen golin e barazimit dhe të kualifikimit vetëm 3 minuta më vonë dhe u jep të kuqve biletën e fazës në grupe.

Sot, shorti i grupeve
Mbasi dje pasdite janë njohur të teta grupet e Ligës së Kampioneve për sezonin 2012-2013, sot sërish në Montekarlo pritet të hidhet shorti i Ligës së Evropës, i cili do të përcaktojë të 12 grupet që do i hapin luftë njëri-tjetrit. Interi, Liverpuli, Atletiko e Madridit, por gjithashtu edhe klubet e zbritura nga eliminatoret e Champions-it, pritet të jenë favoritet për suksesin final.

LIGA E EVROPËS
TË MËRKURËN
Dinamo Moska – Shtutgart 1-1 (0-2)
DJE
AZ Alkmar – Anzhi 0-5 (0-1)
APOEL – Neftçi 1-3 (1-1)
Partizan Beograd – Tromso 1-0 (2-3)
Steaua Bukuresht – Ekranas 3-0 (2-0)
Marsejë – Sherif 0-0 (2-1)
Herenven – Molde 1-2 (0-2)
Rosenborg – Legia Varshavë 2-1 (1-1)
Njukasëll – Atromitos 1-0 (1-1)
CSKA Moska – AIK 0-2 (1-0)
Dnipro – Slovan Liberec 4-2 (2-2)
Metalist K. – Dinamo Bukuresht 2-1 (2-0)
Tuente – Bursaspor 4-1 (1-3)
Genk – Luzern 2-0 (1-2)
Videoton – Trabzonspor 0-0 (0-0)
Hapoel Tel Aviv – F91Dudelanxh 4-0 (3-1)
Sparta Praga – Fejnord 2-0 (2-2)
Jang Bojs – Miditland 0-2 (3-0)
Viktoria Plzen – Lokeren 1-0 (1-2)
Klub Bruzh – Debrecen 4-1 (0-3)
Rapid Vjena – PAOK 3-0 (1-2)
Liverpol – Harts 1-1 (1-0)
Hanover – Slask Vrocklav 5-1 (5-3)
Levante – Madheruell 1-0 (2-0)
Inter – Vaslui 2-2 (2-0)
Bordo – Crvena Zvezda 3-2 (0-0)
Sporting Lisbona – Horsens 5-0 (1-1)
Helsinki – Atletik Bilbao 3-3 (0-6)
Lacio – Mura 3-1 (2-0)
Dila Gori – Maritimo 0-2 (0-1)
PSV – Zeta 9-0 (5-0)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"