Laporta: “Wembley”? Barcelona të kalojë Parisin njëherë, finalja nuk është e paarritshme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 21, 2024 | 10:49

Laporta: “Wembley”? Barcelona të kalojë Parisin njëherë, finalja nuk është e paarritshme

Barcelona po kalon momentin e saj më të mirë të sezonit, me katalanasit që kanë kapur vendin e dytë në La Liga dhe kanë siguruar biletën për në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve. Në kompeticionin më të rëndësishëm europian, Barça do të përballet me PSG-në, një njohje e vjetër me plot kujtime të këndshme e të pakëndshme.

KSAVI LAPORTA

Pikërisht për këtë gjë ka folur presidenti i Barçës gjatë një ceremonie në nderim të figurës legjendare të futbollit holandez dhe të vetë Barcelonës, Johan Krojf. Laporta është ngacmuar nga mediat në lidhje me rrugëtimin e Barcelonës në Champions, që është qartësisht më i thjeshtë se në krahun tjetër ku janë favoritët absolutë të turneut, Mançester Siti, Reali, Bajerni i Mynihut… Por ndryshe nga herët e tjera, Joan Laporta u tregua i kujdesshëm dhe i matur në lidhje me opsionet e Barcelonës që të luajë në finalen e Ligës së Kampionëve, në “Wembley” më 1 qershor.

“Barcelona është në një ecuri pozitive dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu deri në fund të sezonit. Ne kemi objektivat tanë në La Liga dhe në Ligën e Kampioneve. Por nuk mund të shkojmë larg me ëndrrat tona. Çdo objektiv mund të arrihet vetëm me punë të përditshme. Nuk kemi për se të mendojmë për finalen e Londrës. Objektivi i vetëm i Barcelonës duhet të jetë Parisi”, deklaroi numri një i klubit katalanas. Megjithatë, fakti që finalja është në “Wembley”, aty Barcelona fitoi për herë të parë Ligën e Kampioneve në vitin 1992, e bën atë edhe më të veçantë. Dhe presidenti nuk fshihet.

“Këtë vit finalja është në Londër, a ju duket e njohur kjo? Do të shohim… jemi shumë të emocionuar”, tha numri një i Barcelonës duke buzëqeshur. Fitimi i Champions-it është një nga synimet ambicioze të klubit blaugrana, të cilët po garojnë edhe në La Liga, pavarësisht se Reali ka tetë pikë më shumë.

LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"