Laçi, kroati Stipe Buljan drejt firmosjes me kurbinasit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 23, 2013 | 12:52

Laçi, kroati Stipe Buljan drejt firmosjes me kurbinasit

Diferdange-Laci 2-1, Buljan ne dyluftim ajrorQendërmbrojtësi kroat, Stipe Buljan, është drejt rinovimit me Laçin. Ky ka qenë dhe një nga synimet e drejtuesve kurbinas, të cilët insistojnë sërish të zgjasin bashkëpunimin nisur nga marrëdhëniet e mira që ekzistojnë midis tyre. Kështu, firma pritet të jetë thjesht formalitet. Në ditët në vijim Buljan pritet të rikthehet në Shqipëri dhe më pas të zyrtarizohet rinovimi i tij me bardhezinjtë edhe për sezonin e ri futbollistik, duke mbyllur në këtë mënyrë dhe merkaton në prapavijë. Stërvitja – Kurbinasit kanë rritur tempin e stërvitjes. Në seancën e djeshme stërvitore kanë kryer vrapime në distanca të gjata, si dhe ushtrime të ndryshme fizike të kombinuara me topin, për ta mbyllur në fund me një test brenda grupit. Mirëpo, krahas testeve fizike që janë më se normale në këtë periudhë, te kurbinasit vijojnë të testohen elementë të rinj. Dje janë parë të stërviten së bashku me bardhezinjtë edhe katër të tjerë të rinj, dy prej të cilëve kanë qenë pjesë e ekipit të 19-vjeçarëve laçianë. Ishkapiteni i 19-vjeçarëve, qendërmbrojtësi Edison Xhixha, si dhe mesfushori i majtë Edison Ndreca. Të dy këta do tentojnë të bindin stafin teknik për të kaluar tashmë në ekipin e parë. Ndërkaq, krahas tyre ka nisur testimet me kurbinasit edhe shkodrani Feliks Tota, i cili gjatë dy sezoneve të fundit ka luajtur tek Ada. Gjithsesi, fjalën e fundit për ta do ta thotë trajneri Nica.
Vladimir Prenga

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"