“Kuptohemi me një shikim”, Xhonatan rrëfen sekretet: Më pëlqen byreku dhe klima në Vlorë. Nuk e njoh Skënderbeun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2022 | 0:07

“Kuptohemi me një shikim”, Xhonatan rrëfen sekretet: Më pëlqen byreku dhe klima në Vlorë. Nuk e njoh Skënderbeun

Xhonatan Fausto Silvera da Silva, është një nga brazilianët që po shkëlqen në Vlorë. E ka gjetur 5 herë rrjetën në 433 minuta të luajtura në fushë dhe është ai “bomberi” i Flamurtarit. Ai paralajmëron se ky është vetëm fillimi për të, por edhe për vlonjatët. Tani që e kanë marrë kreun, as që kanë në plan ta lëshojnë dhe kësaj i mëshon me të madhe.

Xhonatan Flamurtari

Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, 26-vjeçari rrëfen se sekreti i këtij ekipi është stërvitja e fortë, fryma shumë e mirë në grup dhe fakti që ai me bashkëkombësit merren vesh me një shikim. Nuk kishte si të mos fliste për ambientin që ka gjetur në Vlorë dhe ushqimin. Klima e ngjashme me atë në Brazil dhe byreku po e magjepsin.

Flamurtari arkivoi një tjetër fitore me Orikun dhe tashmë jeni ju në vendin e parë. Si ndiheni?

Ndihem i kënaqur, jo vetëm unë, të gjithë ne. Jemi në një atmosferë shumë pozitive. Por në fund të fundit nuk kemi bërë gjë tjetër veçse kemi kryer detyrat e shtëpisë. Nuk ka asnjë objektiv tjetër. Duhet të japim maksimumin në të gjitha ndeshjet.

Duket se brazilianët po e marrin “për dore” Flamurtarin. E pranoni dhe ju vetë këtë?

Të them të drejtën ndihem shumë mirë për këtë që ju thoni. Ne brazilianët prandaj kemi ardhur këtu për të dhënë më të mirën tonë. Jemi përshtatur mjaft mirë me pjesën tjetër të grupit të lojtarëve. Unë jam shumë i kënaqur për grupin e bashkëkombësve të mi dhe po punojmë bashkë për të arritur objektivat.

E dimë që kemi ardhur në një klub të madh dhe duhet shumë mund dhe djersë për ta përfaqësuar këtë fanellë. Ndaj kërkojmë shumë nga vetja. Në ndeshjen me Orikun shënuam, Flores, unë dhe Juri. Më vjen mirë që jemi përshtatur mjaft mirë me njëri-tjetrin dhe kuptohemi vetëm me një shikim.

Ky Flamurtar ka ndryshuar shumë nga dy ndeshjet e para. Cili është çelësi i suksesit?

Suksesi mendoj se janë seancat stërvitore. Jemi shumë të fokusuar tek udhëzimet që na jep trajneri gjatë stërvitjes. Punojmë fort dhe jemi shumë të vëmendshëm në aplikimin e skemave.

Por, dua të veçoj edhe diçka tjetër. Fryma e grupit është shumë e mirë. Jo vetëm stërvitemi, por edhe bëjmë batuta dhe argëtohemi me njëri-tjetrin. Besoj se gjithë kjo atmosferë e mirë dhe punë serioze janë çelësi ynë i suksesit.

Çfarë prisni nga ndeshja me Skënderbeun?

Në fakt do të jetë një ndeshje e vështirë. Kundërshtari ka objektivat e vetë dhe ne tanët.

A e njihni si kundërshtar?

Nuk jemi ndeshur asnjëherë dhe personalisht nuk e njoh Skënderbeun, por natyrisht që do ta studiojmë gjatë javës. Kemi kohën e mjaftueshme për ta përgatitur këtë ndeshje.

A do të vijë fitorja e radhës në Korçë?

Shkojmë për tri pikët e radhës. Kjo është pak, por e sigurt. Misioni ynë është i qartë.

Çfarë premtoni për Flamurtarin?

Premtoj maksimumin për Flamurtarin. Jam sulmues dhe detyra ime është të shënoj sa më shumë gola.

Ju pëlqen Vlora?

Po, po, më pëlqen shumë. Një qytet i bukur dhe i mrekullueshëm. Një klimë perfekte, deti po ashtu… Me pak fjalë, ia vlen të jetosh dhe punosh këtu.

Çfarë ushqimi ju pëlqen më shumë këtu?

Më pëlqejnë petët…(qesh). Më pëlqen byreku juaj. Është perfekt.

Me kë shoqëroheni më shumë?

Më shumë shoqërohem me lojtarët brazilianë që janë këtu. Por natyrisht që edhe me pjesën tjetër të skuadrës, të cilët na respektojnë.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"