Kukësi bën “pazar” në Berat, gati firma me sulmuesin 27-vjeçar nga Brazili

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 12, 2024 | 10:35

Kukësi bën “pazar” në Berat, gati firma me sulmuesin 27-vjeçar nga Brazili

Kukësi bën “pazar” në Berat! Me verilindorët është bashkuar sulmuesi brazilian që gjysmën e parë të sezonit ka milituar në Kategorinë e Parë me Tomorin, pikërisht Aleksandre Talento. 27-vjeçari prej disa ditësh po stërvitet me Kukësin dhe madje luajti në miqësoren me Burrelin, ku shënoi golin e parë.

aleksandre talento

Duket se me largimin në formë huazimi të Sebastian La Torres tek Flamutari këtë merkato dimri, është liruar një pozicion në sulm dhe zgjedhja vjen nga Kategoria e Parë.

Të dhënat e tij duket se e kanë bindur Stavri Nicën për të dhënë dakordsinë që të jetë pjesë e skuadrës dhe pritet vetëm zyrtarizimi nga ana e klubit.

talento

Sakaq, nga beratasit mund të afrohet edhe portieri Kristian Rroku, i cili i ka luajtur të gjitha ndeshjet si titullar me këtë skuadër. Me shumë gjasa, 20 vjeçari do të afrohet për t’i bërë konkurrencë kapitenit Anxhelo Tafas, pas largimit të Marvin Brozit.

AFRIMET

Deri më tani, skuadra e Kukësit ka bërë vetëm dy afrime zyrtare, siç janë ato të Kleandro Lleshit dhe Geri Selitës, të cilët pritet të jenë të gatshëm për ndeshjen e së dielës ndaj Vllaznisë.

Kuptohet që janari nuk të jep shumë mundësi për t’u përforcuar, por në Kukës janë munduar që të bëjnë ato pak ndryshime që mund t’i japin një tjetër impuls ekipit për pjesën e mbetur të sezonit.

Burimet pranë klubit pohojnë se deri në ditët e fundit të merkatos do të shihet mundësia për të bërë afrime, kryesisht me lojtarë të rinj që i përshtaten filozofisë së klubit për këtë sezon.

Pas 18 javësh kampionat, Kukësi ka grumbulluar 19 pikë dhe pozicionohet në vendin e nëntë, duke rrezikuar kategorinë. Megjithatë, skuadrat e tjera, nga vendi i pestë që është Dinamo dhe deri tek i teti, që mbahet nga Erzeni, janë nga 2 dhe 3 pikë më tepër.

Kjo afërsi me pikë ngushëllon disi verilindorët për pjesën e mbetur të sezonit, duke qenë të bindur se do të qëndrojnë në Superiore.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"