Kthehet si kapiten, Vucaj: E mposht Tiranën, por jo për hakmarrje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 15, 2017 | 9:49

Kthehet si kapiten, Vucaj: E mposht Tiranën, por jo për hakmarrje

Doli nga planet e Tiranës, por sot rikthehet në kryeqytet me shiritin e kapitenit. Ndoshta Laçi nuk ka 24 tituj kampion, por Erjon Vucaj thekson se tashmë jo vetëm ka minuta, por është më i qetë psikologjikisht. Kjo përballje i jep emocione, por gjatë intervistës së dhënë për “Panorama Sport” saktëson se nuk ka vend për hakmarrje. Llogaritë e fantazistit të kurbinasve janë të qarta: “Na duhet fitorja për të qenë më të qetë për mbijetesën”.

Erjon Vucaj

Vucaj rikthehet në kryeqytet, por tashmë si “ish”. Çfarë ndjesie ju jep kjo sfidë?

Ndjesi e veçantë dhe sidomos kur përballë ke Tiranën. Nuk është si të luash ndaj çdo skuadre. Dhe sigurisht emocionet shtohen pasi kam luajtur tek ai ekip. Aq më shumë që ktheheni edhe me statusin e kapitenit… Kjo i shton më shumë vlerat. Deri dje ndoshta nuk isha në planet e Tiranës, por tani rikthehem me shirit kapiteni.

Sa përcaktuese është kjo sfidë për mbijetesën?

Për ne çdo ndeshje është e rëndësishme, kushdo qoftë përballë. Çdo javë e trajtojmë njësoj dhe i japim rëndësinë që i takon. Nuk ka vend për nënvlerësim, por aq për mbivlerësim. Është përcaktuese në fakt. Gjithsesi, nuk ka vend për presion. Por ka rëndësi. Jemi mirë psikologjikisht dhe fizikisht, ndaj në kryeqytet vijmë për fitore.

vucaj

Po barazimi do t’ju kënaqte?

Jo në fakt, pasi më shumë do ndihmonte Tiranën që ka pikë më shumë se ne. Ne duam vetëm trepikëshin, pasi kështu mund të qetësohemi.

Si e keni parë Tiranën nga janari e deri më sot, a ka ndryshuar?

Jo se kam qenë pjesë e Tiranës para janarit, por rezultatet tregojnë javë pas jave që janë më keq. Kanë 11 javë që nuk fitojnë, ndaj nuk mund të them dot të kundërtën. Unë nuk e kam parë Tiranën në situatë më të vështirë, me sa mbaj mend unë. Ka qenë në krizë edhe para disa vitesh, por një fitore e merrte. Më duket si rekord negativ.

Që pas “divorcit”, nuk keni folur kurrë, po tani mund të na thuash çfarë nuk shkoi? Pse erdhi “divorci”?

Ja që erdhi, ashtu shkuan punët. Ai është kapitull i mbyllur për mua, ndaj nuk do doja të komentoja. Nuk ka vend për fajtorë tani.

Laci-Kastrioti 1-0, Vucaj ne dyluftim me Sefen

Rikthimi te Laçi ishte gjëja e duhur?

Normal dhe këtë e them me bindje të plotë. Ndoshta nuk kanë 24 tituj, por unë ndihem shumë herë më mirë psikologjikisht. Pastaj edhe në lojë jam duke marrë më shumë minuta. Më është besuar shiriti sërish, ndaj më i vlerësuar se kaq nuk mund të ndihem. Një sportist ka vetëm nevojë për minuta dhe asgjë tjetër.

A mund të konsiderohet kjo sfidë si një lloj “hakmarrjeje”?

Jo, nuk ka lidhje. Nuk kam asgjë me Tiranën. Ne luajmë për fitore dhe për llogari tonën. Asgjë më shumë.

Si mundet Tirana?

Ne duhet të shfrytëzojmë pjesën e krizës së Tiranës, në rezultate dhe presionin që ata kanë. Por Tirana mbetet Tiranë, arrin të të ndëshkojë edhe në ditët e veta më të këqija dhe këtë e them nga eksperienca, derisa kam luajtur.

Si e shihni garën për mbijetesën?

Po bëhet luftë e fortë dhe interesante. Nuk dihet ende, por Laçi do luftojë deri në finish që të mbijetojë. Këtë e them me siguri.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"