Ksavi, “djali i keq”/ Asnjë trajner i mëparshëm i ndëshkuar sa ai me kartonë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 19, 2024 | 20:13

Ksavi, “djali i keq”/ Asnjë trajner i mëparshëm i ndëshkuar sa ai me kartonë

Trajneri i Barcelonës, Ksavi Hernandez, i përjeton ndeshjet nga jashtë, ashtu siç i përjetonte dikur në fushë: me intensitet dhe pasion. Është mënyra e tij për të kuptuar futbollin. Megjithatë, entuziazmi dhe energjia, me raste dhe nervozizmi i teknikut blaugrana e kanë bërë atë të shohë 22 kartonë të verdhë dhe dy të kuq që kur mbërriti në stolin e klubit të zemrës.

ksavi

“Në bankinë flas gjithmonë, jam i pasionuar, protestoj, inatosem, e jetoj lojën… Kështu shkojnë gjërat për mua dhe është e vështirë të ndryshoj”, ka rrëfyer Ksavi pas ndeshjes kundër Portos në Ligën e Kampioneve në “Do Dragao”, ku edhe u ndëshkua me të verdhë për protestë.

Të dielën e 17 marsit në “Cívitas Metropolitano” (Madrid), Ksavi është përjashtuar për herë të dytë me karton të kuq që kur u bë trajner i Barcelonës. Fillimisht ai u ndëshkua me karton të verdhë për një faull ndaj Levandovskit në qendër të fushës. Trajneri i Barçës nuk i ndali protestat e tij dhe menjëherë më pas Sançez Martinez, me kërkesë të gjyqtarit të katërt (Huan Antonio Kampos Salinas), i dha një karton të kuq direkt. Në kapitullin disiplinor, Ksavi nuk ka asnjë të krahasuar me trajnerët e fundit të Barcelonës.

Ai që i afrohet më shumë koleksionit të tij të kartonëve është Pep Guardiola. Trajneri aktual i Mançester Sitit, në katër sezonet që drejtoi fatet teknike të skuadrës, e pa veten të ndëshkohej tri herë me karton të kuq, por vetëm tri kartonë të verdhë. Ksavi u përjashtua për herë të parë këtë sezon, konkretisht në fushën e Getafes (Madrid), për shkak të protestës pas paralajmërimit nga Soto Grado. Ai u pezullua për dy ndeshje (Kadiz dhe Vijarreal). Megjithatë, ajo ku ai ndryshon nga pjesa tjetër e trajnerëve është te kartonët e verdhë: ai ka parë tashmë 22 të tillë! Në fushatën e tij të parë (2021-2022) ai u paralajmërua në 5 ndeshje (Sevilja dy herë, Atletiko Madrid, Eintraht Frankfurt dhe Vajekano). Në sezonin e tij të dytë te Barça (2022-2023) u ndëshkua 8 herë (Inter, Bilbao, Osasuna, Espanjol, Girona, Almeria dhe Real Madrid në dy raste). Në sezonin aktual (2023-2024), ai numëron dy kartonë të kuq (Getafe dhe Atletiko Madrid) dhe nëntë kartonë të verdhë (Porto, Atletiko Madrid (2), Las Palmas, Barbastro, Bilbao (2), Vijarreal, Granada).

GUARDIOLA, VILANOVA E MARTINO – Guardiola nga ana e tij është trajneri me më shumë kartonë të kuq, 3 (Bajern Mynih, Osasuna dhe Almeraa) dhe pa katër kartonë të verdhë (Bilbao, Valencia, Osasuna dhe Sporting Gijon) gjatë katër sezoneve të tij në stolin e Barcelonës. Të gjitha paralajmërimet ishin për protestë. Tito Vilanova, në sezonin 2012- 2013 ka pasur një karton të kuq, konkretisht kundër Osasunë për ankesa tek arbitri. Në sezonin 2013-2014 u përjashtua edhe argjentinasi Gerardo Martino. Arbitri e nxori jashtë në San Sebastian kundër Sociedadit, pasi mbaroi pjesa e parë në tunelin që të çon në dhomat e zhveshjes, teksa ofendoi duke i thënë idiot trajnerin e dytë të Seciedadit.

LUIS ENRIKE DHE VALVERDE – Luis Enrike pothuajse nuk pati ndonjë incident me gjyqtarët. Ai pa vetëm një karton të verdhë, në finalen (ndeshja e dytë) e Superkupës së Spanjës kundër Bilbaos (1-1). Pasardhësi i tij në detyrë, Ernesto Valverde, në dy sezone e gjysmë (2017-2020), u paralajmërua gjashtë herë dhe gjithmonë me karton të verdhë: Leganes, Selta, Getafe, Leonesa, Osasuna dhe Levante. Në bankinën aktuale të Barçës, përveç Ksavit, janë ndëshkuar edhe anëtarë të tjerë të stafit teknik: Oskar Hernandez, vëllai dhe ndihmësi i Ksavit, i cili është përjashtuar tri herë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"