Kryebashkiaku, i lumtur që bindën skeptikët me klubin e ri. Llatja: Elbasani në festë, ka nisur puna për elitën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 16, 2024 | 12:13

Kryebashkiaku, i lumtur që bindën skeptikët me klubin e ri. Llatja: Elbasani në festë, ka nisur puna për elitën

Sot është e lehtë të flasësh për arritjen e AF Elbasanit në Superiore, por tri vite më parë, kur bashkia krijoi këtë skuadër ishte një sfidë më vete dhe një risk jo i vogël. Ai që vendosi “veton” dhe dha aprovimin për rikthimin e emocioneve të futbollit në qytet, ishte kryebashkiaku Gledian Llatja, i cili sot më shumë se kurrë nuk i fsheh emocionet për ngjitjen e skuadrës në elitë.

LLATJA DEDE

Pas sigurimit matematikor, në prononcimin e dhënë për mediat, kryebashkiaku pohon se sot po feston një qytet i tërë dhe është krenar për këtë arritje të klubit. “Pas një dekade Elbasani rikthehet në Superiore, me një projekt që e kemi nisur para tri vitesh, që pak kush e besonte që ne sot do të ishim këtu. Ja që qyteti e besoi dhe sot jemi në festë, i gjithë qyteti është në festë. Edhe pse në stadium munguan tifozët për shkak të dënimit, ata nuk kanë munguar asnjëherë. Jemi të gjithë krenar për këtë ekip, për futbollin që kanë luajtur. Kemi arritur të gjitha objektivat që i vumë vetes, në radhë të parë me pjesën tjetër të qytetit që ishte mosbesuese për futbollin”, u shpreh fillimisht pas mbylljes së takimit me Apoloninë, kryebashkiaku Gledian Llatja.

SUPERIORJA

Kryebashkiaku i Elbasanit është i ndërgjegjshëm që në Kategorinë Superiore gjithçka do të jetë më e vështirë. Llatja ka besim se edhe aty do të tregojnë vlerat e qytetit, ku puna duket se ka nisur që tani me shpresën që progresioni rritës i klubit do të vazhdojë edhe në elitën e futbollit shqiptar. “Në Superiore ne do të vazhdojmë të tregojmë vlerat dhe traditën e qytetit në futboll. Kam besim se do t’ia dalim edhe aty. Puna ka nisur që tani, pasi në Superiore duhet të garojmë me dinjitet për të përfaqësuar qytetin në mënyrën më të mirë të mundshme”, vijoi më tej numri një i qytetit të Elbasanit.

FALENDERIMET

Besimi që kishin më në fund iu shpërblye, por kryebashkiaku ka një falënderim edhe për bashkëpunëtorët e këtij rrugëtimi të klubit. “Ne kishim besim se do t’ia dilnim. Ekipi ka punuar shumë. Unë kam një falënderim për administratorin, trajnerin dhe të gjithë stafin, bashkë me lojtarët apo tifozët. Mbështetjen që kemi pasur nga të gjithë bizneset, por edhe miqtë, Kujtimi (Llupa) gjithashtu. Shumë miq kanë ardhur dhe na janë bashkuar në këtë projekt që kemi nisur dhe të gjithë kanë qenë besim plotë. Ja ku jemi sot, katër ndeshje para mbylljes së kampionatit kemi siguruar ngjitjen, ndërsa tani do të tentojmë deri në fund të shpallemi kampionë në Kategorinë e Parë”, mbylli prononcimin e tij kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja.

  

Me president të ri në elitë

Nëse Superiorja u arrit matematikisht, edhe çështja e aksioneve është në metrat e fundit për t’u mbyllur zyrtarisht. Biznesmeni Kujtim Llupa pritet të marrë në dorëzim 70 % të aksioneve, ndërsa 30 % do t’i mbetet bashkisë së qytetit. Ka mbaruar që në datën 3 prill ankandi për shitjen e tyre, që niste nga 138 milionë lekë të vjetër. Me pak fjalë, në Superiore verdheblutë do të jenë një skuadër me president të ri dhe me financa të shëndosha.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"