Kriza totale te Reali, Zidan: Kupa dhe kampionati faliment, me PSG-në luaj stolin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2018 | 9:48

Kriza totale te Reali, Zidan: Kupa dhe kampionati faliment, me PSG-në luaj stolin

N ë të mirë e në të keq, duket sikur fatet e Realit të Madridit dhe PSG-së sivjet janë të ndërlidhura ngushtë me njëritjetrin. Nëse nga njëra anë është zhurma që shkakton tratativa lidhur me një shkëmbim mes Kristiano Ronaldos dhe Nejmarit, apo edhe përplasja e të dyja skuadrave në 1/8-at e Ligës së Kampioneve, së fundmi, skuadra franceze mund të vendosë edhe fatin e Zinedin Zidanit në krye të pankinës spanjolle.

Zidan

Dhe të mendosh se vetë PSGja e ka kontaktuar atë në ditët e kaluara, si pasardhësin e mundshëm të Unai Emerisë… Gjithsesi, në pritje për të parë se çfarë mund të ndodhë deri në verë, do të jetë periudha 14 shkurt – 6 mars, në të cilat do të luhen dy duelet me eliminim në Europë, ato që do të vendosin edhe fatin e “Zizusë”, pas skualifikimit të turpshëm nga Kupa e Mbretit, përballë Leganesit.

Ky nuk është thjesht një spekulim mediatik, por një aprovim, që vetë trajneri i Realit të Madridit e ka bërë hapur: “Marshimi i dobët në kampionat, por edhe eliminimi nga Kupa janë një faliment i yni si skuadër. Dhe fajtori më i madh për këto jam vetëm unë. Dihet që trajneri ka përgjegjësitë maksimale në këtë aspekt dhe unë jam gati që t’i marr të gjitha ato përsipër.

zidane

A rrezikon stolin në ndeshjen me PSG-në? Patjetër, diçka e tillë është e qartë dhe më se normale. Fakti që kemi dështuar në dy nga tre kompeticionet sezonale, është i rëndë, por nëse dështojmë edhe në të tretin, është më shumë se normale që dikush të paguajë. Që unë të paguaj…”.

Leganes Real

Heshtja që vjen nga ana e presidentit Florentino Perez, prej kohësh konfirmon se diçka mes tij dhe trajnerit francez është krisur, pavarësisht fitoreve të dy Ligave të Kampioneve radhazi, Superkupave të Europës dhe dy Botërorë për Klube radhazi. Për një skuadër si Reali, janë të patolerueshme 19 pikë disavantazh në kampionat apo një eliminim nga kupa, në “Santiago Bernabeu”, përballë Leganesit, aq më shumë, pasi kishin fituar sfidën e vajtjes.

Për këtë arsye, ndeshja, ose dy ndeshjet e 1/8-ave të finaleve të Champions-it, kundër PSG-së së Nejmarit, bëhen jetike për trajnerin Zinedin Zidan nëse ai kërkon të ruajë stolin deri në fund të sezonit.

Përgatiti: JETON STAMOLLA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"