Korabi feston në Shkodër, në elitë pas 54 vitesh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 15, 2016 | 11:04

Korabi feston në Shkodër, në elitë pas 54 vitesh

Festa u përket dibranëve. Korabi ngjitet në Kategorinë Superiore pas 54 vitesh. Me fitoren 1- 0 ndaj Adës, në ndeshjen e luajtur dje në Shkodër, u sigurua përfundimisht ngjitja në elitën e futbollit. korabiFusha sportive “Reshit Rusi” në Shkodër dukej si stadiumi i Peshkopisë. Me qindra tifozë dibranë kishin ardhur për të festuar me skuadrën e tyre. Ndërsa Korabi festonte, nga ana tjetër Ada, pas një historie të suksesshme, shoqëruar edhe me rezultate pozitive, i tha lamtumirë Kategorisë së Parë.

Ndeshja

Ada pritej që ta merrte lehtë ndeshjen përballë Korabit, duke qenë se kishte dalë jashtë objektivave të saj. Në fakt, velipojakët, ndryshe nga thuajse të gjitha ndeshjet e këtij sezoni, kanë zhvilluar një lojë të bukur përballë Korabit, duke mbajtur në ankth deri në sekondën e fundit dibranët që kërkonin suksesin historik të tyre.

Më parë presidenti i Adës, Alfred Pjetri, kishte premtuar se në këtë sfidë do të luhej pastër e me agresivitet sportiv dhe ashtu ndodhi. Ada, edhe pse tenton të marrë mesfushën, duhet të presë minutën e 17-të për të rrezikuar seriozisht portën e Kotorrit. Pjesa e parë mbyllet në baraspeshë 0-0. Në 45 minutat e dyta, rastet për gol janë edhe më të pakta. Ekipet provojnë më shumë gjuajtjet nga largësia apo edhe topat e lartë për të zënë në befasi mbrojtjet respektive.

Është minuta e 59-të, kur një top që vjen nga goditja e këndit goditet saktësisht nga Bishaj i ardhur nga mbrojtja e Korabit. Kërcen mbi të gjithë të tjerët dhe arrin që ta ekuilibrojë mirë goditjen me kokë, duke bërë që topi të përfundojë në katërkëndësh. Korabi kalon në avantazh dhe festa është e tëra për dibranët.

Ky gol ndez qindra tifozët e pranishëm dhe tashmë mban gjallë shpresën për daljen në Superligë, pavarësisht rezultatit në ndeshjen tjetër Besëlidhja-Kastrioti. Pavarësisht se ndëshkohet, Ada sërish nuk lëshon në lojën e saj, e madje me aq mundësi sa ka, mundohet që të sulmojë. Korabi fiton qetësinë dhe nuk i duhet më shumë se një gol, duke menduar më shumë që të mos pësojë. Ada nuk ka asgjë për të humbur dhe provon sulmet.

Është minuta e 88-të kur Nika brenda zonës provon të godasë, por topi i tij ndalet nga një mbrojtës duke e bllokuar. Katër minutat shtesë nuk sjellin asgjë dhe Korabi siguron automatikisht ngjitjen në Superiore. Pas ndeshjes, përmes një ceremonie modeste të organizuar nga FSHF-ja, Korabit iu dorëzua kupa e vendit të parë për grupin A. Lojtarët dibranë festuan me tifozët, e më pas kaluan mbrëmjen në një prej restoranteve të Shkodrës.

ADA – KORABI 0-1
GOLAT: Bishaj 59′
ADA: Marku, Hotaj, Tota (Kola 75′), Ibraj (Drabeja 80′), Hoti, Vecaj, Ishmaku, Lari (Mesi 46′), Puka, Pepaj, Nika. Trajner: Kreshnik Krepi
KORABI: Frashëri, Bishaj, Pelinku, Shazivari, Frashëri, Mziu (Vathi 83′), Muçollari, Kiri (Hoxha 93′), Jubani, Begaj, Guri. Trajner: Dritan Mehmeti
GJYQTARË: S.Çeka, E.Çuni, G.Koka
KARTONË TË VERDHË: Hotaj 22′, Nika 75′ / Bishaj 86′

Përgatiti: SENAD NIKSHIQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"