Kombëtarja shqiptare U-16 shkërmoq Moldavinë, vajzat e Agustin Kolës fitojnë me rezultat të thellë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 8, 2023 | 13:45

Kombëtarja shqiptare U-16 shkërmoq Moldavinë, vajzat e Agustin Kolës fitojnë me rezultat të thellë

Kombëtarja shqiptare U-16 e nisi me fitore turneun ‘UEFA Development U-16’ për vajza, duke triumfuar me rezultatin 5-0 ndaj Moldavisë. Një fitore mëse e merituar nga vajzat e drejtuara nga trajneri Agustin Kola, të cilat zhvilluan një ndeshje shumë të mirë ditën e sotme në kompleksin e Ekipeve Kombëtare në Kamëz.

kombetarja-u-17-grumbullim-tetor-2022-vajza-agustin-kola-2048x1365

Vajzat kuqezi e nisin mjaft mirë ndeshjen, teksa minutat e para luhen në gjysmëfushën moldave, me të besuarat e Agustin Kolës që kërkojnë avantazhin, duke krijuar disa raste të pastra shënimi. Dhe goli i parë vjen shumë shpejt, pikërisht në minutën e 13-të. Klesta Ago dërgon në zonë topin përmes një goditje dënimi, teksa kundërshtaret ngatërrohen në zonën e tyre. Portierja Nistor fillimisht pret topin, ndërsa më pas i rrëshket nga duart, falë edhe presingut të vajzave kuqezi, duke i dhënë epërsinë 1-0 Shqipërisë. Vajzat e drejtuara nga trajneri Kola krijojnë edhe disa raste të tjera mjaft të mira për të shënuar, teksa në minutën e 38-të është sërish kapitenia Ago ajo e cila ndihmon ekipin të realizojë golin e dytë. Përmes një goditjeje të lirë nga jashtë zone, Ago dërgon topin në rrjetën kundërshtare, duke dyfishuar kështu shifrat për vajzat kuqezi. Pjesa e parë mbyllet me avantazhin 2-0 për Shqipërinë.

Ndërkaq, vajzat kuqezi e nisin pjesën e dytë të takimit me një tjetër gol mjaft të bukur. Tiana Gjonaj është autore e golit të tretë, pas një goditje nga jashtë zone, me topin që godet traversën dhe kalon vijën kundërshtare. Pas këtij momenti, trajneri Kola bën tre zëvendësime, duke hedhur në lojë Herta Hasën, Gelda Kadiollin e Samanta Hysën, ndërsa dalin nga fusha Imelda Ara, Klea Allushi dhe Aishe Sulejmani. Pas golit të tretë, vajzat qarkullojnë mirë topin dhe qetësojnë lojën, duke kërkuar të ruajnë avantazhin e trefishtë. Në minutën e 79-të, Erika Nushi realizon edhe golin e katërt për Shqipërinë. Pas traversës së Bora Bushatit, Nushi gjendet mjaft mirë në zonën kundërshtare, duke dërguar topin në rrjetë. Pak minuta më vonë, Xhesika Ndoji vulosi shifrat 5-0 për Shqipërinë, duke mundur kundërshtaret brenda zonës e duke dërguar topin në rrjetë. E me rezultatin 5-0 mbyllet ndeshja e parë e Shqipërisë në turneun ‘UEFA Development U-16’, një takim spektakolar e me pesë gola nga vajzat kuqezi.

Veç Shqipërisë, në këtë turne marrin pjesë edhe Moldavia, Kosova e Andorra, me ndeshjet që do të luhen të gjitha në vendin tonë në datat 7-9 dhe 12 mars. Ndërkaq, ditën e sotme është luajtur edhe takimi tjetër i turneut, mes Kosovës e Andorrës, që përfundoi me fitoren 3-1 në favor të përfaqësueses së Kosovës. Ndeshjet e dyta të turneut do të luhen të enjten, ku takimi i parë është planifikuar të zhvillohet në ora 11:00 mes Moldavisë dhe Andorrës, ndërsa ndeshja e dytë do të luhet në ora 14:30 mes Shqipërisë dhe Kosovës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"