Kërkohet fitorja për mbijetesën, Çela: Ndaj Bylisit do të jetë më e vështirë se me Laçin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 9, 2023 | 10:30

Kërkohet fitorja për mbijetesën, Çela: Ndaj Bylisit do të jetë më e vështirë se me Laçin

Emiljano Çela ka nisur misionin në sezonin e dytë radhazi për të shpëtuar Kastriotin nga rënia. Shkalla e vështirësisë edhe në këtë edicion është e lartë, por janë edhe nëntë javë në dispozicion dhe gjithçka është e mundur. Trajneri foli për “Panorama Sport” para ndeshjes së të hënës në stadiumin e Kamzës në orën 15:00 përballë një rivali direkt si Bylisi. Çela kërkon impenjim maksimal nga të tijtë dhe është i qartë se fitorja është detyrim.

emiljano cela

Sa ju ndihmoi ai trepikësh ndaj Laçit?

Në ndeshjen që zhvilluam ndaj Laçit jam shumë i kënaqur për fitoren, si dhe për shpirtin e garës që treguan të gjithë lojtarët, por kemi ende punë shume për të bërë. Shpresojmë që të vazhdojmë më këtë ritëm, si dhe të ndreqim gabimet e shfaqura në ndeshjet e fundit, ku patjetër do të kemi tjetër ritëm dhe besim në vetvete.

Keni arritur të krijoni harmoni në skuadër pas këtij rikthimi?

Lojtarët gjithmonë i janë përgjigjur kërkesave të mia dhe janë të vetëdijshëm për atë që duhet bërë. Kemi pasur probleme të tjera. Përveç dëmtimeve, fakti që ndodhemi në fundin e tabelës, ka ndikuar psikologjikisht. Gjithsesi, pas lojërave të mira në ndeshjet e fundit dhe fitorja me Laçin shpresoj që t’i ketë qetësuar lojtarët.

Si e prisni ndeshjen ndaj Bylisit?

Bylisi është një kundërshtar, që ka të njëjtat objektiva si ne, për të qëndruar në Superiore. Është një ekip i mirorganizuar, si dhe ka një trajner të mirë dhe lojtarë cilësorë. Ndaj tyre na pret një ndeshje akoma më e vështirë se ajo ndaj Laçit. Kemi shumë punë për të bërë.

SH. HASANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"