Kastrioti-Laçi për mbijetesën, dueli ku vëllezërit luajnë si kundërshtarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 2, 2023 | 10:01

Kastrioti-Laçi për mbijetesën, dueli ku vëllezërit luajnë si kundërshtarë

Kastrioti-Laçi është një nga ndeshjet më delikate të kësaj jave, teksa të dyja skuadrat luftojnë për mbijetesë. Krutanët mbyllin tabelën e klasifikimit dhe e kanë si shansin e fundit këtë përballje për të shpresuar te ngjitja, ndërsa kurbinasit duan të shkëputen sa më shpejt nga zona “play out”, për të sulmuar pse jo edhe Europën në vazhdimësinë e kampionatit.

selmani

Në përballjen që do të luhet të dielën në orën 15:00 në stadiumin e Kamzës, e veçanta është se do të ketë një duel mes vëllezërve Selmani, të cilët nuk janë mësuar të jenë kundërshtarë në fushën e lojës. Adolf dhe Santiago Selmani te Kastrioti do të sfidojnë Gentian Selmanin e Laçit.

Tre vëllezërit pritet të jenë në fushë nga minuta e parë, me Gentianin në portën kurbinase, Adolfin në mbrojtjen e Kastriotit dhe Santiagon në sulm. Për stafin teknik të Kastriotit ka qenë e mjaftueshme koha për të përgatitur këtë përballje.

Trajneri Emiljano Çela është munduar t’i marrë më të mirën grupit që ka në dispozicion, teksa përveç të dëmtuarit Martin Prenkoçeviç, të gjithë lojtarët e tjerë janë të gatshëm. Gjatë këtyre ditëve, prania e drejtuesve më të lartë të klubit në seancat stërvitore është vlerësuar si mbështetje morale për ekipin, duke injektuar besim se do t’ia dalin në luftën për mbijetesë.

Ndërkohë, vlen për t’u theksuar se në këtë muaj të Ramazanit, një pjesë e mirë e ekipit agjëron, pikërisht lojtarë si vëllezërit Selmani, Mehmeti, Greca, Kodra dhe senegalezi Kamara. Madje edhe oraret e stërvitjes janë përshtatur, në mënyrë që lojtarët të mos e ndiejnë shumë lodhjen.

SHKËLQIM HASANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"