Kastrioti duhet të zëvendësojë “të arratisurin”, Ndreu bën gati planin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 28, 2023 | 17:39

Kastrioti duhet të zëvendësojë “të arratisurin”, Ndreu bën gati planin

Kastrioti mbylli një vit plot probleme. Skuadra nuk ka treguar ndonjë potencial në këto 16 javë të luajtura dhe renditja është dëshmia më e mirë. Janë pozicionuar të 8-ët, me vetëm 15 pikë. Një bilanc aspak i kënaqshëm dhe sidomos për një ekip që vjen nga elita.

kastrioti

E megjithatë, pritshmëritë nuk është se ishin më të larta. Nga një grup totalisht i rinovuar, ku rezistuan vetëm 5-6 lojtarë, nuk mund të prisje më shumë. Edhe pse Ramadan Ndreu u mundua që të ndërtonte një ekip cilësor, që të paktën të mos diskutojë qëndrimin në Kategorinë e Parë, hera-herës kanë pasur luhatje. Të vendosur para kësaj situate, janari shihet si shpresa e vetme.

Pritet që të ndërhyjnë në merkato dhe forcojnë organikën për të përballuar pjesën e mbetur të garës. Klubi është gati që t’i përmbushë kërkesat trajnerit, i cili po i bën llogaritë me të paktën katër përforcime. Me urgjencë duhet një sulmues, një repart që ka pasur shpesh probleme.

Fausto Silvera da Silva Xhonatan u largua që në nëntor pa lënë gjurmë (mësohet se është kthyer në Brazil, ndonëse pa lejen e klubit), drejtuesit do të jenë të detyruar që ta zëvendësojnë. Një lojtar goli është domosdoshmëri dhe sidomos në një ekip që ka shënuar vetëm 14 gola në total.

SHKËLQIM HASANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"