Kastrioti-Bylis shtyhet prej shiut, trajneri Ndreu del kundër. Fusha e “Redi Malokut” me pellgje, tifozët largohen të mërzitur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 22, 2024 | 19:45

Kastrioti-Bylis shtyhet prej shiut, trajneri Ndreu del kundër. Fusha e “Redi Malokut” me pellgje, tifozët largohen të mërzitur

Kastrioti-Bylis nuk u zhvillua. Ndeshja e planifikuar për t’u luajtur të shtunën e 20 janarit në orën 13:30 në “Redi Maloku”, u shty. Ndërkohë të dyja ekipet dhe stafet respektive kishin mbërritur rreth 2 orë para fillimit të kësaj sfide në stadium dhe lojtarët po bëheshin gati për të dalë në nxemje, u mor vendimi.

MixCollage-20-Jan-2024-01-38-PM-7248 (1)

Shiu i rënë gjatë paradites kishte krijuar disa pellgje të vogla uji në disa zona të izoluara të fushës dhe kaq mjaftoi që arbitrat dhe zyrtarët e FSHF-së të dilnin në terren dhe inspektonin gjendjen e fushës. Pasi e panë nga afër, dolën në përfundimin se kushtet ishin të papërshtatshme për zhvillimin normal të një takimi. Për këtë është njoftuar dhe shefi i sektorit të garave të FSHF-së dhe kërkesa e tyre për të mos u zhvilluar ndeshja ka marrë miratimin. Kështu që, delegati Agim Mone dhe vëzhguesi Mentor Sopjani u kanë komunikuar drejtuesve të lartë të dy klubeve.

Mirëpo, kjo shtyrje nuk është pritur mirë nga drejtuesit krutan. Ka qenë në fakt trajneri Ramadan Ndreu, ai që nuk ka qenë dakord. Tekniku i Kastriotit u ka kërkuar zyrtarëve të ndeshjes që nuk ka pse të anulohet, pasi prezenca e ujit nuk do të bëhej pengesë. “La ta zhvillojmë dhe të fitojë kush e meriton. Nuk ka arsye të shtyhet”, dëgjohet tek thotë numri një i pankinës së Kastriotit. Dhjetëra tifozë që kishin ardhur për të ndjekur këtë sfidë, janë larguar të zhgënjyer. Tani pritet që sektori i garave pranë FSHFsë të caktojë një datë tjetër për zhvillimin e ndeshjes Kastrioti Bylis.

SHKËLQIM HASANI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"