Kartoni i parë i kuq me Barcelonën, ja sa ndeshje rrezikon Mesi të humbasë për goditjen e kundërshtarit në Superkupë
Lionel Mesi mori kartonin e parë të kuq në karrierë me fanellën e Barcelonës në 753 ndeshje të luajtura, por grushti që i dha kundërshtarit pas koke mund të rrezikojë shumë. Numri 10 i katalanasve e humbi toruan në fundin e sfidës duke goditur Vijalibren pas një dueli mes tyre. VAR e fiksoi këtë moment dhe Gil Manzano i tregoi kartonin e kuq. Por kjo nuk është më e keqja sepse kapiteni i katalanasve mund të përjashtohet për 4 ndeshje të cilat janë të vlefshme për La Ligën apo Kupën e Mbretit. Nëse Barcelona do të kualifikohet kundër Kornejas në Kupë, atëherë ndeshjet që do të humbasë janë dy në kampionat dhe 2 në Kupë.
Ky ishte kartoni i parë i kuq i Mesit me Barcelonën. Ai kishte marrë më parë me Argjentinën, por kurrë si lojtar katalanas. Sipas rregullores veprimi i tij konsiderohet dhunë ndaj kundërshtarit dhe sipas rregullores, rrezikon të pezullohet 4 ndeshje.
“Të sulmosh një futbollist, qoftë edhe pa e dëmtuar atë konsiderohet si akt dhune dhe është i ndëshkueshëm dhe penalizohet me 4 deri në 12 ndeshje pezullim nga aktiviteti. Nëse ky veprim ndodh në një ndeshje të Superkupës së Spanjës, atëherë dënimi do të shlyhet me mosprezencë në fushën e lojës apo në stol në ndeshjet pasardhëse të kompeticioneve të tjera në Spanjë”, shkruhet në rregullore.
Si të mos mjaftojë humbja e finales, tani Barcelona duhet të mendojë për pezullimin e kapitenit, i cili është një lojtar shumë i rëndësishëm për formacionin e Ronald Kumanit. Mesi duket sikur kishte gjetur rrugën pozitive, por ky karton rihap sërish polemikat për të.
PËRGATITI: GENTJAN ALINANI
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"