Kapiteni Peqini: Triumf për të shmangur zonën e ftohtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2012 | 13:34

Kapiteni Peqini: Triumf për të shmangur zonën e ftohtë

Besëlidhja ka zhvilluar një ndeshje kontrolli brenda grupit, gjatë të cilës trajneri Zenuni ka parë më nga afër gjendjen e skuadrës së tij, duke qenë se këtë fundjavë do të ketë një ndeshje të vështirë në shtëpi ndaj Kamzës, e cila një sezon më parë ishte në Kategorinë Superiore. Kapiteni i lezhjanëve, Florian Peqini, në një prononcim për “Panorama Sport”, flet rreth kësaj sfide dhe objektivin e ekipit të tij. “Humbja që pësuam në fushën velipojake me Burrelin duhej të ishte evituar, por ajo që ndodhi nuk zhbëhet, ndaj duhet ta shlyejmë me gola në ndeshjen e radhës ndaj Kamzës. Në disfatën ndaj Burrelit, nuk ishte loja e kundërshtarit, por më shumë ndikoi terreni, pasi në Velipojë fusha është e papërshtatshme. Aktualisht në renditje nuk kemi një pozicion të mirë, pasi rrezikojmë shumë dhe një tjetër hap fals mund të na fusë në zonën e ftohtë, ndaj fitorja në këtë takim është një detyrim. Kamza ka një skuadër të mirë dhe vjen nga Superiorja, por ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet për të triumfuar”, – është shprehur Peqini.
Preng Gjikola

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"