Kaçaj: Duka e De Biazi bëjnë matrapazllëqe në Kombëtare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 11, 2016 | 12:52

Kaçaj: Duka e De Biazi bëjnë matrapazllëqe në Kombëtare

Ish-futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë, që numëron 18 ndeshje dhe një gol, Salvador Kaçaj, ka lëshuar një lumë akuzash ndaj presidentit të FSHF-së dhe trajnerit të Kombëtares, gjatë emisionit “Fair Play” të moderatores Enkeleida Zeko, mbrëmjen e së dielës, në “News 24”.

Ai shprehet se federata është kthyer në një pronë private me të cilën bëhen matrapazllëqe, duke i dhënë në përdorim pronat për zyrtarët e saj. Gjithashtu, ai ngre dyshime për grumbullimin e Veselit në Europian, ndërsa i jep të drejtë Kushtës dhe figurave të tjera si Nallbani, Bajko apo Kaçi, të cilët kritikojnë faktin që po blejnë biletat për të parë Kombëtaren, edhe pse kanë kontribuar për vite me radhë…

Salvador Kacaj

Për humbjen

“Shqipëria na ka turpëruar. Jo se na mundi Spanja, por me mënyrën se si luajtëm. Na kanë bërë një shtypje totale. Kemi luajtur edhe me ekipe të tjera të mëdha, por kemi sulmuar ndonjëherë. Këtë herë bëmë maksimumi dy pasime. Mendoj se rreshtimi ishte i gabuar. Duhet të luante Cikalleshi, pasi është një futbollist që e mban topin.

Edhe Kaçe nuk duhej në tribunë, por në fushën e lojës. Ai është i aftë të qarkullojë topin, pasi ne ia dorëzonim menjëherë kundërshtarin. Nuk është për t’u kaluar lehtë kjo humbje, pasi Kombëtarja nuk është pronë private, por e të gjithëve”, deklaroi Kaçaj.

Salvador Kacaj vs Bierhof

Salvador Kaçaj në duel me Oliver Birhof

Për Veselin

“Një pyetje kam unë: Ku është ky Veseli?! A është futbollisti që luajti në Europian kundër Francës dhe la jashtë listës Gjimshitin? Jemi vetëm dy muaj më vonë dhe tashmë Gjimshiti ka tri ndeshje që luan si titullar, ndërsa Veseli asnjë minutë. E di pse ndodh kjo? Sepse ai e kreu misionin e tij. Luajti në Europian dhe u shit në Itali. Është çështje komerciale. Po e them në mënyrë të kulturuar, pasi mund të them edhe që është çështje matrapazllëqesh.

Kjo është e lexuar dhe këtë e bën De Biazi bashkë me presidentin e FSHF-së. Me Francën ne humbëm pikërisht prej tij, prej gabimit të tij. Unë e njoh atë pozicion, sepse kam luajtur 17 vite dhe ka qenë gabimi i tij. Pse e përjashtoi Gjimshitin nga 23-shja? Pse e përjashtoi Rrahmanin, që e pamë se si luajti ndaj Ukrainës?! Pse u mor Latifi?! Vetëm për t’ia djegur Kosovës”.

France-Shqiperi

Për De Biazin dhe Dukën

“Si De Biazi, ashtu edhe Duka e kanë mbyllur ciklin e tyre që me Europianin. Duhet ta mbyllin dhe të ikin në shtëpi. Infrastruktura furnizuese e kombëtareve të moshës U-17, U-18, U-21 nuk sjell asnjë produkt, por janë të gjithë të importuar. I vendos Duka të gjithë se kush hyn dhe kush jo”.

Akuza për Jupin dhe Bushin

“Kemi një histori ku një nga njerëzit më të mirë të botës, Oto Bariç, u largua dhe tha: ‘U tradhtova nga lojtarët dhe nga Federata’. Ne e dimë se për çfarë e tha ai ‘u tradhtova’. Federata është kthyer në një pronë private. Që te kompleksi në Kamëz, i cili i është dhënë Alban Bushit, që është drejtor në Kombëtare dhe Redi Jupit, që është trajner i Kombëtares U-21.

Janë bërë investime miliona në ‘Tropikal’. Kombëtarja është kthyer në pronë private e presidentit të FSHF-së. Nëse nuk ju bën përshtypje fakti që drejtori i Kombëtares ka marrë kompleksin e Kombëtares në përdorim, kemi të bëjmë me skandal. FSHF-ja e tregoi që është pronë private edhe kur erdhën 51 raporte nga UEFA për trukim dhe nuk bëri publike asnjë prej tyre”.

De Biazi-Bushi

Për biletat e ish-ëve

“Ai Sokol Kushta që e tha në media, Blendi Nallbani, Neptun Bajko, Jani Kaçi duhet të ishin në stadium. Jo, duke blerë biletë. Janë ikona që vlerësohen në të gjithë botën. Kjo tregon që kemi të bëjmë me një federatë që trajtohet si pronë private. Po ju tregoj edhe që në ndeshjen e veteranëve kundër Gjermanisë, vitin e kaluar, kishte një kusht: që të luanin ata që kishin qenë në fushë edhe kundër Gjermanisë.Asnjë prej atyre që kishin luajtur nuk u thirr. Jani Kaçi, Indrit Fortuzi, nuk jam thirrur unë. Sepse ne jemi të padëshirueshëm”.

lorik cana

Lorik Cana

“E kam thënë para disa muajsh që Cana e ka mbyllur kapitullin. Kishte dy vite që ishte kthyer në turist. Njerëzit nuk më besonin, por ai as te Lacio nuk luante”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"