Joshet nga malajzianët, Gilberto kërkon largimin. Halili: Klubi ynë i ofroi rinovimin

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Prill 11, 2014 | 9:00

Joshet nga malajzianët, Gilberto kërkon largimin. Halili: Klubi ynë i ofroi rinovimin

Gilberto prezanton MorinaDy ditë më parë arriti një akord xhentëlmenësh për të rinovuar. Pranoi parimisht ofertën prej 10 mijë dollarësh në muaj që iu ofrua nga Tirana, ndërsa veç të tjerave do të merrte edhe një paradhënie prej dy rrogash. Mirëpo, Gilberto Fortunato ka ndryshuar mendje dhe ka kërkuar divorc të parakohshëm nga bardheblutë. Madje, kërkesa e lojtarit është që të ikë që tani, pa u mbyllur ende sezoni, edhe pse ka një marrëveshje të shkruar që e mban të lidhur me kryeqytetasit deri në fund të këtij kampionati. Ky vendim i beftë i brazilianit është shkaktuar nga një ofertë joshëse që i është bërë prej skuadrës malajziane, e cila në fakt prej kohësh është në bisedime me të. Madje ata ia kanë rritur ofertën që ta bindin, nga 10 mijë dollarë në muaj i kanë shtuar edhe 5 mijë dollarë. Në kushte të tilla, sulmuesi ka biseduar me drejtuesit e klubit, si dhe donatorët, duke u kërkuar që të largohet që tani. Federimi Fakti që ai mund të federohet edhe në këto momente në Malajzi, pasi kampionati atje ende nuk ka filluar, ia ka shtuar dëshirën Gilbertos që të ndërmarrë një mision të pamundur, pra të largohet para kohe. Por kjo nuk është pranuar kurrsesi nga klubi bardheblu, pasi futbollisti ka bërë detyrë që të zbatojë atë që ka firmosur gjatë muajit janar. Megjithatë, një gjë është e sigurt, lojtari e ka ndarë mendjen që të largohet. Madje, kujtojmë që në një deklaratë që dha pas ndeshjes me Kukësin për mediat, ai pranoi se do e mendonte disa herë rinovimin. Incidentet që ndodhën në ndeshjen me Flamurtarin në Vlorë e kanë merakosur, duke u shprehur se do e kishte të pamundur që të qëndronte në një vend si Shqipëria, ku nuk ka siguri. Mungesa Tirana dje ka nisur stërvitjen në orën 10:00 në stadiumin “Selman Stërmasi”, por Gilberto Fortunato nuk është parë. Fakt që sigurisht ka krijuar habi te stafi teknik, pasi ata nuk kanë qenë të informuar. Madje, konfirmojnë për “Panorama Sport” se mungesa e brazilianit është e paarsyetuar. Kur seanca po mbyllej, afro çerekore nga fundi, sulmuesi erdhi në ambientet e stadiumit. Nuk foli me askënd, u afrua te pankina, por në asnjë moment nuk iu drejtua dhomave të zhveshjes që të vishte rrobat e stërvitjes, por qëndroi aty. Kjo “braktisje” e seancës përgatitore është një sinjal i fortë që dëshmon edhe njëherë dëshirën e tij për t’u larguar nga Shqipëria në një tjetër destinacion, që me gjasa është Malajzia.

refik-halili13Halili: Braziliani nuk ikën, klubi i ofroi rinovimin
Gilberto Fortunato nuk do të largohet nga Tirana, të paktën jo deri në fund të këtij sezoni. Deklarata vjen nga njëri prej donatorëve të klubit bardheblu, Refik Halili, i cili ka sqaruar edhe situatën e brazilianit karshi klubit, duke dhënë sinjale të qarta edhe për lojtarët e tjerë, të cilët ndodhen nën kontratë me Tiranën. Sipas donatorit, asnjë lojtar nuk do mund të largohet para fundit të sezonit, qoftë ky edhe sulmuesi brazilian Gilberto Fortunato. “Zyrtarisht deklaroj se braziliani, ashtu sikundër edhe lojtarët e tjerë të Tiranës janë nën kontratë me klubin të paktën deri në fund të sezonit, ndaj askush nuk do ketë mundësi që të largohet. Sa i përket Gilbertos në veçanti, ne si drejtues kemi biseduar me të duke i ofruar rinovimin, ashtu sikundër do të bëjmë edhe me lojtarë të tjerë. Mes nesh dhe lojtarit ka pasur një dakordësi verbale, por sakaq në koherencë ka pasur edhe oferta të tjera nga jashtë. Ai po kërkon të shfrytëzojë këtë gjë, si dhe faktin që në Malajzi, nga ku ka marrë një ofertë, merkatoja është ende e hapur, por klubi në asnjë mënyrë nuk do ta lejojë që të largohet, të paktën jo deri në fund të kontratës që ka firmosur me ne”, ka thënë Halili. Kujtojmë se jo më larg se dita e hënë, Halili i ofroi rinovimin brazilianit, duke marrë parimisht edhe një “OK” nga ky i fundit, por rritja e ofertës së malajzianëve nga 10 mijë në 15 mijë dollarë ka ndryshuar sërish raportet verbale mes lojtarit dhe klubit. Përtej kësaj, me pretekstin se është i dëmtuar, lojtari ka ditë që nuk është në dispozicion të trajnerit Gugash Magani dhe kjo gjë tanimë duket sikur tingëllon si një pretekst që lojtari të largohet nga skuadra. Me shuma gjasa, Gilberto nuk do të luajë këtë javë ndaj Lushnjës, por në skuadër pritet kontributi i tij ndaj Vllaznisë në javën e 30- të. Në të kundërt, pra nëse sulmuesi do vijojë ende “të ankohet” duke thënë se është i dëmtuar, me shumë gjasa klubi do ta gjobisë. “Çdo lojtar ka firmosur një kontratë me Tiranën për të cilën paguhet dhe është i detyruar që të kontribuojë. Sakaq, ekziston edhe një rregullore, e cila qartëson marrëdhënien e gjithsecilit me klubin dhe në të janë të parashikuara edhe masat për çdo shkelje të saj”, ka thënë Halili, duke lënë të kuptohet se ndaj brazilianit mund të merren edhe masa.

Magani ne stol gjate ndeshjes Tirana-Laci 2-0Probleme me apendicitin, operohet trajneri Magani
Nuk ka qetësi te klubi i Tiranës. Trajneri Gugash Magani i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale për shkak të problemeve me apendicitin. Operacioni ka shkuar mirë dhe trajneri dje në mbrëmje ndihej mirë, por gjithsesi pritet të mungojë në ndeshjen e fundjavës kundër Lushnjës.
Problemet – Trajneri bardheblu kishte ndjerë shqetësime që në mesditën e djeshme, por nuk i kishte kushtuar shumë rëndësi. Më pas dhimbjet u shtuan dhe rreth orës 18:00 u drejtua për në spital, ku pas kontrollit të mjekëve iu desh t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale. Sipas të afërmve. operacioni ka shkuar shumë mirë. Maganin kanë shkuar ta vizitojnë familjarët, donatori Refik Halili dhe zv.trajneri Klodian Dervishi.
Mungesa – Trajneri Magani pritet t’i mungojë Tiranës në ndeshjen kundër Lushnjës në fundjavë, edhe pse sipas mjekëve mund të lërë spitalin që nesër në mesditë. Ndeshjen me gjasa do ta drejtojë ndihmësi i tij, Klodian Dervishi. Gjatë ditës së sotme pritet që futbollistët e Tiranës ta vizitojnë trajnerin në spitalin ku është shtruar.

Stërvitje në stadium, formacioni mbetet pezull
Tirana ka vijuar përgatitjet e saj edhe dje, teksa ndryshe nga çdo herë e ka zhvilluar në stadiumin “Selman Stërmasi”. Ekipi i të rinjve bardheblu zhvilloi dje ndeshje në kompleksin “Skënder Halili”, çka solli edhe ndryshimin e destinacionit. Skuadra ka qenë e plotë dhe të gjithë ishin të përkushtuar, pa përfshirë këtu Gilberton, i cili erdhi vetëm në fund. Trajneri foli pak minuta para nisjes së seancës dhe theksoi edhe njëherë rëndësinë e ndeshjes me Lushnjën, ndaj kërkoi përqendrim dhe vlerësim maksimal të kundërshtarit. U zhvillua edhe një lojë mes grupit, mirëpo këtë herë ekipi u “shkartis”, ndaj ishte e vështirë që të zbuloje 11-shen. Edhe pse vetë Magani e ka të qartë se kujt do t’i besojë në këtë duel.
Adela Merko






www.minuta90.com