Jorgji fiksohet me Troisin, Temitopen e tërbon ndërrimi/ Ja pikantet e supersfidës Skënderbeu-Flamurtari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 8, 2022 | 23:10

Jorgji fiksohet me Troisin, Temitopen e tërbon ndërrimi/ Ja pikantet e supersfidës Skënderbeu-Flamurtari

Skënderbeu-Flamurtari pati një interesim të madh edhe nga drejtuesit e klubeve të Superiores, ndërsa në stadium kishte rreth 1200 tifozë. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha pikantet e ndeshjes së djeshme.

SKENDERBEU-FLAMURTARI

* Tribuna VIP ka qenë e tejmbushur, teksa në krah të presidentit të Skënderbeut, Ardjan Takaj, ishin ulur drejtori sportiv i Flamurtarit, Alfred Ferko dhe drejtori sportiv i Tiranës, Tefik Osmani. Afër tyre qëndronte edhe legjenda e futbollit vlonjat, Rrapo Taho.

Pak më të aneksuar ishin trajneri i Partizanit, Xhovani Kolela dhe drejtori sportiv, Elton Marini. Në tribunë u pa edhe trajneri Gentian Mezani. Gjithashtu ish-trajneri i Skënderbeut, Julian Ahmataj, kishte zgjedhur të rikthehej në Korçë për të ndjekur skuadrën që drejtoi në elitë.

* Trajneri i Flamurtarit, Marcelo Troisi, është ndëshkuar me karton të verdhë pas protestave të vazhdueshme ndaj kryesorit Jorgji, veçanërisht për një faull që Frashëri shkaktoi ndaj Jurit dhe kryesori nuk e akordoi. Fillimisht Jorgji ka këshilluar trajnerin për të mos vijuar më me ankime. “Mjaft më, duhet të rrish i qetë dhe të pushosh. Është paralajmërimi i fundit që të bëj”, i ka thënë Jorgji.

Por, pas disa minutash i ka treguar të verdhin trajnerit. Troisi, në këtë moment ka shtangur, duke treguar habi ndaj arbitrit të katërt: “Po unë as nuk fola këtë herë, pse më ndëshkon?”, iu kthye braziliani.

* Sulmuesi Abdul Temitope, që shënoi golin e Skënderbeut, nuk e ka pritur mirë zëvendësimin nga Memelli. Ai ka dalë i acaruar nga fusha, duke kontestuar vendimin e trajnerit me gjeste dhe fjalë. Në këtë moment Memelli i ka kërkuar të qetësohet, por lojtari ka qenë shumë i mërzitur.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"