Ish-trajneri Demiraj flet pa doreza: Kupa “pengesë” për Apoloninë, nuk ia del dot

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 24, 2024 | 10:40

Ish-trajneri Demiraj flet pa doreza: Kupa “pengesë” për Apoloninë, nuk ia del dot

Apolonia nuk ka pasur kohë të pushojë dhe as të analizojë si duhet barazimin e fundit në kampionat. Ditën e sotme në orën 13:00 rinis Kupa e Shqipërisë dhe turi i katërt i çon bardhejeshilët në Tiranë, atje ku i pret Partizani.

Elidon-Demiraj-1.jpg-11-1

Në Fier e shohin këtë ndeshje si një mundësi për të treguar forcën. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ish-trajneri Elidon Demiraj fut në “skaner” Apoloninë. Ndryshimet në pankinë, barazimi i fundit me Flamurtarin, Kupa e Shqipërisë dhe merkato e janarit kalojnë në lupën e tij.

I mirënjohuri, Artan Mërgjyshi në krye të Apolonisë, mendoni se është zgjedhja e duhur?

Personalisht mendoj se trajneri i mirënjohur Artan Mërgjyshi është zgjedhja e duhur dhe më e mirë e mundshme, sidomos në këtë fazë të kampionatit. Së pari, ka eksperiencën e duhur për të marrë maksimumin e grupit që ka në dispozicion dhe së dyti, e njeh shumë mirë ambientin në Fier pasi nuk është hera e parë që e drejton Apoloninë.

Sidoqoftë, debutimi i tij nuk shkoi më shumë se sa një barazim përballë Flamurtarit. A vlen pika e marrë?

Ka debutuar me një ndeshje të vështirë sepse Flamurtari është një nga pretendentët më seriozë këtë sezon, qoftë për elitën, qoftë për fazën “play off”. Ndaj vlonjatëve, barazimi është rezultat pozitiv dhe pika e marrë vlen shumë. Kur thashë pak më parë që Mërgjyshi do t’i marrë maksimumin grupit që ka në dispozicion, nuk doja të thosha që ka shkopin magjik. Pati vetëm pak ditë kohë në dispozicion për ta përgatitur këtë ndeshje debutuese dhe arriti të ndalë një rival të fortë, si Flamurtari.

Çfarë nuk shkoi përballë vlonjatëve?

Të tregohem i sinqertë, ka shumë faktorë dhe njëri më ndikues se tjetri. I pari, pas një periudhe disa javore shkëputje. Rikthimi në një ndeshje zyrtare është gjithmonë pa ritmin dhe intensitetin e duhur. I dyti, skuadra e mbylli fazën me një trajner dhe e filloi fazën tjetër me trajner të ri. I treti, frika për të mos lënë pikë në shtëpi dhe i fundit, por jo për nga rëndësia, zhvillimi i ndeshjes më të rëndësishme në aneks. Këta të gjithë, kush më pak e kush më shumë bënë që Apolonia të mos ishte e qartë dhe e qetë që në fund të merrte trepikëshin.

Mendoni se barazimi me Flamurtarin e ka larguar edhe më shumë Apoloninë nga vendi i 3-të dhe i 4-t?

Po sigurisht që barazimi i fundit e ka larguar edhe më shumë nga vendet e sipërme. Megjithatë, për mendimin tim ekipi duhet sa më shpejt të gjejë ritmin e lojës, por edhe qetësinë mendore, pa menduar gjerë e gjatë për vendin e 3-të apo të 4-t. Loja është ajo që i duhet më së shumti për vazhdimësinë, pasi ndeshjet dhe pikët janë aty. Do të luhen edhe 15 javë.

Apolonia është zyrtarisht në krizë rezultatesh, sepse prej pesë ndeshjesh nuk e njeh fitoren. Çfarë po ndodh?

Më duhet ta përsëris që ekipi filloi të kishte probleme pikërisht kur filloi të shikonte klasifikimin e përgjithshëm dhe njëherazi të kuptonte që ishte në “valle” për Superioren. Për mendimin tim, nuk e ka grupin ose ka një grup vërtetë me elementë cilësorë, por jo një grup që mund të durojë presionin e lartë dhe të ketë eksperiencën e duhur. Këto çuan në mungesën e disa rezultateve radhazi dhe ndikuan drejtpërdrejt në largimin e ish-trajnerit Rodriges.

Sot Apolonia udhëton drejt Tiranës, atje ku e pret Partizani. Çfarë prisni nga ky duel?

Për mendimin tim, Kupa është një kompeticion dhe objektiv më vete që më shumë do t’i shpërqendrojë, për më tepër që skuadra nuk i ka kapacitetet dhe mundësitë për t’i shkuar deri në fund. Më e mira do të ishte ta përfundonin sot aventurën dhe prej ditës së nesërme, stafi dhe lojtarët të fokusoheshin vetëm te kampionati.

Këto përballje nuk kanë ndeshje kthimi, gjithçka vendoset në Tiranë. Mund ta bëjë surprizën Apolonia?

Edhe po ta bëjë, nuk është se ka ndonjë vlerë. Thjesht do të mbingarkojë veten duke ditur që kampionati ka hyrë në fazën e vet më të nxehtë, ku çdo ndeshje është vendimtare dhe çdo pikë e lënë mund të të kushtojë shumë në fund. Të luftosh denjësisht në dy fronte duhen minimalisht dy formacione, të cilat Apolonia nuk i ka.

Si për ironi, Apolonia e ka “zero” numrin e prurjeve të reja…

Fakti që nuk ka asnjë lojtar të afruar deri tani, tregon dhe njëherë se sa seriozisht po mendon klubi për ta përforcuar ekipin. Kjo është vërtetë një periudhë merkatoje që nuk të ofron shumë, por disa “riparime” që ti i ke të domosdoshme, duhet t’i bësh nëse pretendon.

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"