Idrizaj te Tirana, firmos për 3 vite

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 30, 2014 | 15:29

Idrizaj te Tirana, firmos për 3 vite

Endri IdrizajTirana godet sërish në merkato. Blerja e radhës mban emrin e Endrit Idrizaj. Mbrojtësi i majtë dje ka nënshkruar kontratë 3-vjeçare me bardheblutë dhe gjatë pasdites i është bashkuar skuadrës në Ohër. Lojtari 25-vjeçar është veshur zyrtarisht bardheblu, teksa ka dalë edhe në stërvitjen e zhvilluar në orën 17:30, teksa arritjen e akordit e konfirmon edhe vetë klubi kryeqytetas. Ajo që ishte shkruar që prej mbylljes së sezonit të fundit nga gazeta “Panorama Sport”, se Bylisi mund ta linte të lirë Idrizajn vetëm nëse ai do të luante për Tiranën, u bë fakt vetëm ditën e djeshme. Akordi – Kujtojmë që lojtari u transferua edhe te Kukësi pak javë më parë, por marrëveshjen nuk e mbylli dot kurrë. Klubi ballshiot nuk e ka la të lirë mbrojtësin, ndaj ky i fundit u detyrua që të largohej nga veriorët, edhe pse kishte ditë që stërvitej me ta. Megjithatë, një problem i tillë nuk u has me mbylljen e operacionit me kryeqytetasit, kjo falë edhe raporteve të mira që kanë klubet mes tyre. Megjithatë, përpos kësaj pjese, klubi, për të marrë kartonin e Idrizajt, i ka dhënë edhe një shumë parash Bylisit. Mbetet ende e paqartë shifra, por ajo që vlen është mbyllja me sukses e këtij transferimi. Kësisoj, pas Frashërit, Idrizaj bëhet i dyti futbollist i ekipit mallakastriot që nënshkruan për Tiranën.
Konfirmimi – Fill pasi kreu seancën e parë stërvitore si bardheblu, Endrit Idrizaj për “Panorama Sport” u shpreh tejet i lumtur për këtë marrëveshje 3-vjeçare. “Jam më shumë se i lumtur. Ky është një shans i madh për mua, të cilin do mundohem që ta shfrytëzoj për t’u rritur sa më shumë si futbollist. Të jesh pjesë e 24 herë kampionëve të vendit nuk është pak, madje është një ëndërr. Këtë sezon është ndërtuar një ekip pretendent dhe kam bindjen se që në vitin tim të parë te Tirana do të shpallem kampion”, – përfundoi mbrojtësi i majtë i kryeqytetasve. Me afrimin e 12-të, gjasat janë që bardheblutë ta mbyllin këtu merkaton hyrëse.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"