I paprekshëm për Brdariç, Jonuzi premton: Do jemi më mirë se në fazën e parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2021 | 23:22

I paprekshëm për Brdariç, Jonuzi premton: Do jemi më mirë se në fazën e parë

Fjoart Jonuzi është një nga titullarët e padiskutueshëm të Vllaznisë së këtij sezoni. Pas mbylljes së fazës së parë, ai rezulton një prej tre lojtarëve më të aktivizuar nga trajneri Tomas Brdariç në kampionat. Bashkë me portierin Zogoviç dhe mbrojtësin e majtë, Esin Hakaj, lojtari kuksian është nga më të preferuarit nga gjermani. Mesfushori ka qenë në fushë për 806 minuta në nëntë ndeshjet e para. I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, Jonuzi foli për situatën në skuadër, formën që po kalon, si dhe ndeshjen e radhës me Laçin.

Fjoart Jonuzi

Të shtunën sërish në Shkodër, këtë herë përballeni me Laçin. Si e shikoni këtë sfidë?
E shikoj si një ndeshje të vështirë, që kërkon vlerësim maksimal, sepse Laçi ka një ekip cilësor. Në ndeshjet e fundit ka marrë rezultate pozitive dhe vjen me moral të mirë në Shkodër. Na duhet të japim 100% në fushë për të arritur atë që duam.

Besoni në një tjetër fitore?
Po. Normalisht që besojmë gjithmonë. Duhet të besojmë, sepse kemi ekipin dhe grupin e mirë, kështu që do të jemi 100% të motivuar për ta fituar këtë ndeshje.

Keni marrë një triumf spektakolare në Laç në javën e parë. Tashmë do të jetë tjetër histori sepse Laçi nuk është skuadra e fillimit?
Laçi ka ndryshuar në ndeshjet e fundit, siç e thashë me fitoret dhe me lojëra të mira. Megjithatë, ne duhet të shkojmë me mendimin e ndeshjes së parë, ku i mundëm me shumë gola, sepse ajo ndeshje ka ikur dhe duhet të përqendrohemi për këtë takim, ku rëndësi kanë 3 pikët.

Pas disa luhatjeve mendoni se tani ka ardhur koha për stabilitet në rezultate?
Është e vërtetë që kemi pasur luhatje. Duhet të tregojmë më shumë pjekuri dhe siguri nëse duam të jemi konkurrent për kampionat. Në momentin e duhur do të bëjmë gjërat e duhura.

Kalendari ju favorizon, sepse në katër takimet e radhës, tri i luani në fushën tuaj. Si e shihni këtë?
Është një avantazh i mirë për ne, pasi dihet stadiumi ynë. Kjo na motivon me tifozët dhe shpresoj të jenë të shumtë të pranishëm. Ne do të japim më të mirën dhe këtë jua premtojmë.

Çfarë duhet të bëjë më mirë Vllaznia për të pasur vazhdimësi?
Mendoj që duhet të tregohemi më cinikë dhe më të kujdesshëm, sepse raste krijojmë shumë, po mbrapa duhet të jemi si ekip më stabël. Duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe t’i marrim ndeshjet sipas radhës.

Besoni se skuadra do të jetë më lart në fazën e dytë të kampionatit?
Po, nëse do të jemi të disiplinuar dhe të përqendruar gjithë kohën. Duke ndihmuar njëri-tjetrin, do të ngjitemi në majë. E them këtë, sepse për cilësitë e skuadrës nuk dyshoj. Mendoj që do të jemi më mirë se në fazën e parë.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"