Hysa kthehet në Laç: Nga Flamurtari më largoi Muça

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Janar 23, 2012 | 12:02

Hysa kthehet në Laç: Nga Flamurtari më largoi Muça

Tani është zyrtare, sulmuesi Vilfor Hysa është rikthyer përfundimisht për të luajtur pjesën e mbetur të kampionatit te skuadra e Laçit. Lajmin e ka konfirmuar për “Panorama Sport” në pasditen e djeshme vetë presidenti i klubit bardhezi, Pashk Laska. Ky i fundit, i njohur si një njeri korrekt me mbështetësit e skuadrës dhe stafin teknik, duket se mban premtimin për të sjellë në Laç një sulmues të njohur. “Operacioni” i rikthimit të 22-vjeçarit ka rezultuar pa shumë vuajtje. Hysa ishte i huazuar te Flamurtari për 6-muajt e parë të sezonit, duke lënë të kuptohet se lojtari i ka pasur “të shkruara” opsionet e kontratës për fazën e dytë. Në këtë mënyrë, trajnerit Përparim Daiu i realizohen kërkesat e para të angazhimit me Laçin. Tekniku kishte kërkuar së paku dy futbollistë cilësorë. Afrimi i shkodranit Valdano Nimani dhe së fundi e Hysës, përmbush më së miri kërkesat e Daiut për të punuar i qetë me grupin. Ndërsa Hysa aktualisht po stërvitet në Durrës me ekipin kombëtar dhe pritet që të nisë stërvitjen me bardhezinjtë më 26 janar, kur edhe mbyllet “zbori”.
Deklarata Në prononcimin e tij të parë si lojtar i Laçit, Hysa shfryn ndaj trajnerit të Flamurtarit, Shkëlqim Muça. Sulmuesi lë të kuptohet se ishte kreu i pankinës kuqezi, ai që nuk e donte në skuadër. “Muça do të bindet se ka gabuar rëndë në përzgjedhjen e fundit. E garantoj se në rolin e kundërshtarit ndaj skuadrave që do udhëhiqen prej tij, do të bëj maksimumin për t’i thënë se më ka ‘kthyer kurrizin’ me pa të drejtë. Kjo nuk do të thotë se jam në siklet, sepse për shërbimet e mia janë të interesuara disa klube të Superiores. Gjithashtu, së fundmi kam marrë edhe një ofertë nga skuadra ukrainase, Obolon i Kievit. Gjithsesi, unë ndihem mirë për kthimin në Laç. Jam tepër i vlerësuar dhe e ndjej se kësaj skuadre, tifozerisë, por dhe vetë presidentit Laska, i detyrohem jo pak”,- ka thënë dje Vilfor Hysa për gazetën.

Laska premton: Do bëjmë edhe një tjetër goditje
Numri një i klubit laçian, Pashk Laska, ka folur dje për herë të parë gjatë këtij viti kalendarik, lidhur me zhvillimet më të fundit në skuadrën e tij. Sebepi duket se bëhet rikthimi i sulmuesit Vilfor Hysa, për të cilin presidenti ka nënvizuar se është ndër futbollistët e preferuar të tij. “Kemi rikthyer Hysën dhe stafi teknik për javët në vijim do të ketë shërbimet e njërit prej futbollisteve më të mirë të kampionatit shqiptar. Është pikërisht kjo bindje që më ka bërë ta huazoj lojtarin te një skuadër me emër si Flamurtari. Ekipi vlonjat ka qenë mbi të gjitha edhe një preferencë e vetë lojtarit, ndaj ne nuk hezituam t’ia plotësojmë kërkesën. Sidoqoftë, Hysa tashmë është pjesë e Laçit dhe i ka të gjitha mundësitë të shprehet më së miri në dobi të skuadrës. Ditët në vijim do të afrojmë edhe një lojtar tjetër, paçka se trajneri ka shprehur impresionin personal se grupi tashmë është i kompletuar”,- deklaron Laska për “Panorama Sport”.
Synimet – Laska ka folur edhe për objektivat. Kreu i klubit nuk ka vënë kushte, por duket qartë se me lëvizjet e fundit kërkon ta ringjallë këtë skuadër, e cila për disa edicione në drejtimin e tij, ka lënë gjurmë duke u renditur në katet e sipërme të tabelës së klasifikimit. “Nuk bëhet fjalë që skuadra të rreshtohet në atë grup që do të luftojë për qëndrimin. Projektet tona janë për shumë gjatë. Paralelisht po përpiqemi të kalojmë edhe krizën e fundfazës së parë. Përmirësimi i imazhit tonë si klub mbetet detyrë parësore”,- përfundoi presidenti bardhezi.
ARDI HASANI





www.minuta90.com