Gvozdenoviç: Skënderbeu i motivuar kundër Dinamos, kemi edhe 8 finale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2024 | 8:46

Gvozdenoviç: Skënderbeu i motivuar kundër Dinamos, kemi edhe 8 finale

Skënderbeu është gati për ndeshjen e radhës kundër Dinamos, që luhet sot në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. Nga “Tropikal Resort” korçarët kanë mbyllur dje përgatitjet për këtë takim, ku trajneri Ivan Gvozdenoviç pret që ekipi i tij të japë më të mirën dhe të kërkojë maksimumin e pikëve. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, numri 1 i stolit korçar ka evidentuar vështirësitë e takimit të sotëm me Dinamon, që në Korçë herën e fundit ka marrë 3 pikët. Bardhekuqtë nuk e shohin si hakmarrje këtë takim, por si një nga tetë finalet e mbetura të këtij sezoni.

gvozdenovic

“Jemi gati për ndeshjen kundër Dinamos. Kemi mbyllur përgatitjet dhe jemi thuajse të plotë, me disa dilema të vogla për sa i përket formacionit. Jemi të vetëdijshëm që kjo është një ndeshje radhe dhe do të bëjmë maksimumin dhe të marrim më të mirën. Futbolli është disi i çuditshëm dhe i paparashikueshëm. Statistikat, siç e kam thënë edhe më herët, nuk janë një tregues sa i përket ndeshjes pasardhëse, por normalisht kanë rëndësinë e tyre. Do të shkojmë atje pa asnjë mëri nga humbja e fundit me Dinamon, por për të bërë lojën tonë të zakonshme. Ekipin e shoh të motivuar dhe të karikuar për të dhënë gjithmonë më të mirën e mundshme, ndaj pres të njëjtën gjë edhe këtë herë”, theksoi trajneri i ekipit korçar, Ivan Gvozdenoviç.

FINAL 4 – I ndalur më pas te gara për vendin e katërt të renditjes, trajneri Ivan Gvozdenoviç theksoi se për ta arritur këtë objektiv duhen kaluar me sukses 8 finalet e mbetura, ku e para është kjo me Dinamon. “’Final 4’ është një objektiv real në kushtet kur ne jemi pranë këtij pozicioni. Nuk duhet të mbingarkojmë veten për këtë pozicion, por do të tentojmë të jemi pjesë e 4 ekipeve të para në fund të sezonit. Kemi treguar në ndeshjet e deritanishme se cilësitë i kemi, por na duhet të kalojmë me sukses tetë javët e mbetura të kampionatit. Janë edhe tetë finale për këtë objektiv dhe duhet t’i marrim një e nga një për të shkuar në ‘Final 4’. Ta fillojmë nga ndeshja me Dinamon, që për ne është shumë e rëndësishme”, e mbylli prononcimin e tij trajneri Gvozdenoviç. Skënderbeu mban vendin e 4-t aktualisht në renditje, me 40 pikë të grumbulluara në 28 javë.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"