Goditje “in-extremis” e Lushnjës, largohet Kaja dhe vjen ish-futbollisti i Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2017 | 11:11

Goditje “in-extremis” e Lushnjës, largohet Kaja dhe vjen ish-futbollisti i Tiranës

Mbrojtësi Ervis Kaja ka prishur kontratën me skuadrën e Lushnjës dhe nuk është më pjesë e verdhejeshilëve. Klubi lushnjar ka konfirmuar largimin e mbrojtësit kavajas, por janë përforcuar në vijën e sulmit 24 orë para ndeshjes me Vllazninë. Kështu, vendin e lënë bosh nga mbrojtësi Kaja, klubi lushnjar e ka plotësuar me sulmuesin kuçovar, Enriko Papa.

Enriko Papa

Lajmin e ka konfirmuar për “Panorama Sport” sekretari i klubit lushnjar, Irakli Zaka: “Kaja nuk është më pjesë e skuadrës së Lushnjës. Lojtari kishte shumë pretendime dhe nuk është më pjesë e jona. Kemi afruar sulmuesin kuçovar Enriko Papa, i cili ka firmosur kontratën dhe është zyrtarisht pjesë e Lushnjës”.

Kaja

Ndërsa mbrojtësi Ervis Kaja për gazetën sqaron arsyet e divorcit me verdhejeshilët: “Largimi im nga Lushnja lidhet me disa faktorë, duke filluar nga ana financiare.

Tirana

Largësia ishte një faktor tjetër, sepse unë banoj në Tiranë. Oferta që më ka bërë klubi kavajas është tunduese dhe jam shumë pranë rikthimit te Besa. E falënderoj klubin e Lushnjës që më bëri pjesë të merkatos dhe i uroj suksese në Superiore”.

SYNIMI – Mes rinovimeve të protagonistëve të sezonit që ngjiti Lushnjën në Superiore dhe nëntë afrimeve, një shifër rekord, për një skuadër që drejtohet nga njësia vendore, Lushnja po i drejtohet sezonit të Superiores për të konkurruar mbijetesën.

Lushnja vs Lece

Rikonstruksioni i stadiumit “Roza Haxhiu” i nisur me vonesë në kohë, nuk u ndihmua as nga periudha midis dy sezoneve që këtë herë ishte më e gjatë se zakonisht.

Impianti lushnjar nuk do të jetë gati për ndeshjet e shtatorit, kështu që Lushnja ndeshjet e para pritëse do t’i luajë në fushë asnjanëse. Midis vështirësive dhe entuziazmit, skuadra do të kërkojë qëndrimin në elitë.

SULMUESI CANKA – Mikel Canka, golashënuesi më i mirë i lushnjarëve në pesë nga gjashtë sezonet e fundit, në një prononcim për “Panorama Sport” shprehet se grupi verdhejeshil është pushtuar nga dëshira për ta nisur me këmbën e mbarë sezonin duke kërkuar rezultatin pozitiv ndaj Vllaznisë.

Mikel Canka

“Erdhëm me meritë mes më të mirëve dhe mezi presim që të nisim sezonin futbollistik. Që në momentin që mësuam se do ta nisnim përballë Vllaznisë, grupi i futbollistëve u pushtua nga dëshira për ta filluar me këmbën e mbarë. Ekipi vjen nga një përgatitje serioze.

Ne e kemi vlerësuar këtë ndeshje dhe kemi punuar fort, ndaj nuk na mbetet gjë tjetër veçse të japim maksimumin dhe të dalim me rezultatin pozitiv nga kjo përballje. Besojmë se do të bëjmë një paraqitje të mirë që të kënaqim edhe tifozërinë tonë të zjarrtë”, është shprehur goleadori Canka. Dyshja e sulmit verdhejeshil Canka-Sefa është shpresa e madhe e lushnjarëve për suksesin e parë të sezonit.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"