“Gjykimi na masakroi, mund të rri në Shqipëri”, Karvalho: Ja shkaqet e rënies së Orikut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 11, 2023 | 22:49

“Gjykimi na masakroi, mund të rri në Shqipëri”, Karvalho: Ja shkaqet e rënies së Orikut

Oriku nuk e shmangu dot dramën. Edhe pse e fitoi ndeshjen e fundit, ra në Kategorinë e Dytë. Skuadra është shpërndarë përfundimisht dhe dilemat për të ardhmen janë të mëdha.

oriku5

Një gjë është e sigurt ama: të huajt do të largohen që të gjithë. I tillë është edhe rasti i mbrojtësit Vitor Francisko dos Santos de Karvalho. Ai konfirmon “divorcin”, por jo ikjen nga Shqipëria. Nuk e përjashton mundësinë që të luajë me ndonjë ekip tjetër.

Para se të fliste për këtë temë, 30-vjeçari analizoi shkaqet e rënies. Mendon se nuk e meritonin këtë verdikt, por përballë gjykimit nuk ia dilnin dot.

Oriku ra matematikisht në Kategorinë e Dytë. E mendonit që do të shkonte kështu?

Mendoj se janë disa faktorë që ndikuan dhe sot ndodhemi në këtë gjendje. Ne lojtarët kemi fajin tonë, por jemi penalizuar shumë edhe nga gjykimi. Dhe kjo nuk ka ndodhur në pak ndeshje, por në 5-6 prej tyre. Gjithsesi, nuk na takon ne të merremi me këtë pjesë.

Çfarë ndjesie keni?

Kemi luftuar fort. Punuam për të shpëtuar, por kjo gjë nuk ndodhi dhe për këtë më vjen shumë keq që nuk arritëm dot. Asnjë lojtar profesionist nuk dëshiron që të bjerë nga kategoria dhe nuk u dorëzuam deri në fund.

Ishte e para aventurë për ju në Shqipëri dhe në Kategorinë e Parë, si shkoi?

Nuk më është dukur e vështirë. Në përgjithësi nuk kam parë shumë diferenca të mëdha midis ekipeve të ashtuquajtura pretendente dhe atyre inferiore. Mendoj se lojtarët që bëjnë diferencën janë shumë të paktë në numër. Më duket një kampionat i balancuar.

Si mbërritët në Orikum dhe bëheni pishman për këtë zgjedhje?

Për sa i përket zgjedhjes sime për të praunuar këtë sfidë dhe Orikun, mund të them që ishte diçka krejt e re për mua. Shumë gjëra ishin ndryshe nga çfarë prisja, por nuk dua të futem në detaje. Unë zgjodha këtë eksperiencë të re dhe shpresoj që të më shërbejë për mirë në të ardhmen time.

Cila do të jetë e ardhmja juaj?

Rreth së ardhmes sime nuk mund të them asgjë për momentin. Por me të mbaruar zyrtarisht sezoni, do të flas me përfaqësuesin tim. Ai kujdeset për ofertat që mund të më vijnë mua. Mund të vazhdoj këtu në Shqipëri ose të shkoj diku jashtë, varet se nga do të më vijnë ofertat. Do të vendos në momentin e duhur.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"