Gjesti fantastik i Guardiolës, i ndan stafit të klubit premion që mori për titullin
Pep Guardiola është një trajner i veçantë, për mënyrën se si drejton në fushën e lojës dhe se si kërkon gjithmonë futboll ofensiv, por edhe për gjërat që bën jashtë fushës së lojës. Dhe këtë e tregon më së miri gjesti i tij i fundit.

Mediat angleze kanë zbuluar se trajneri ka gjetur mënyrën më të mirë të mundshme për të falënderuar të gjithë personat në klubin e Mançester Sitit, që ndihmuan skuadrën në rrugëtimin historik që u mbyll me tre trofe. “Daily Mail” bën të ditur se bonusin që ka përfituar nga klubi për triumfin në Premier Ligë, ai ua ka shpërndarë të gjithë punonjësve te Siti.
Kështu, një shumë prej rreth 750 mijë paund është ndarë jo vetëm mes pjesëtarëve të stafit të tij apo administratës, por edhe mirëmbajtësve të klubit, kuzhinierëve apo edhe personelit tjetër të shërbimeve.
Një mënyrë falënderimi që Guardiola e ka cilësuar të nevojshme ”për të gjithë ata që e kanë bërë të mundur” një sezon të tillë. Stafi i klubit merr gjithmonë premio të vogla për çdo titull që fiton Mançester Siti, por Guardiola ka dashur që ata të ndjehen edhe më të vlerësuar, ndaj u ka shpërndarë edhe bonusin që përfitonte sipas kontratës për trofeun e Premier Ligës.
PANORAMASPORT.AL













