Gati ndërrimi i fushës, sfida e Partizanit me Vllazninë drejt “Air Albania”-s

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 29, 2024 | 23:12

Gati ndërrimi i fushës, sfida e Partizanit me Vllazninë drejt “Air Albania”-s

“Arena e Demave” do të bëhet së shpejti me një fushë natyrale, që i përshtatet vetë ekipit dhe investimit të bërë në stadiumin e kuq. Siç “Panorama Sport” e ka paralajmëruar prej disa ditësh, shumë shpejt klubi pritet të çmontojë fushën aktuale dhe t’i hapë rrugë punimeve për një terren natyral ose hibrid, që i përshtatet kërkesave të lojtarëve, stafit, por edhe standardeve të UEFA-s për zhvillimin e tureve të para të kompeticioneve ndërkombëtare.

air albania

Fusha aktuale është sintetike dhe vazhdimisht është ndeshur me ankesa nga ana e lojtarëve, të cilët e shohin si një prej shkaqeve për dëmtimet e shumta në këtë sezon. Te Partizani kanë vendosur të reagojnë dhe kanë marrë këtë vendim.

Burime për “Panorama Sport” bëjnë me dije se po diskutohet që ndeshja në shtëpi me Vllazninë e planifikuar në javën e ardhshme të luhet në stadiumin “Air Albania” prej nisjes së punimeve. Ende nuk është marrë një vendim final, pasi ka ende kohë dhe përqendrimi është tërësisht te beteja me Laçin. Nëse ndodh kështu, Partizani do të duhej të luante në “Air Albania” edhe ndeshjet si pritës kundër Dinamos, Skënderbeut dhe Erzenit.

Një problem është edhe vendi ku ekipi do të kryejë seancat stërvitore, por edhe kjo pjesë është menduar. Pranë klubit flitet se ekipi do të stërvitet përkohësisht në kompleksin e FSHF-së, “Shtëpia e Futbollit”. Mbetet për t’u parë se cili do të jetë vendimi përfundimtar.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"