Fundi i një cikli, Leva dhe Myler në ikje/ Ja prapaskenat e merkatos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 27, 2022 | 23:18

Fundi i një cikli, Leva dhe Myler në ikje/ Ja prapaskenat e merkatos

Bajerni i Mynihut ka kohë që po mendon për të ardhmen e skuadrës e cila për momentin ndodhet mes rinovimeve dhe largimeve të mundshme.

1070662_imgw968

Ashtu si në çdo cikël të jetës, edhe në futboll fundi mund të vijë shumë shpejt dhe largimi i yjeve e i legjendave është i pashmangshëm dhe kjo, për shumë arsye. E tillë është edhe situata te Bajerni i Mynihut.

Rekordmenët e Bundesligës ndodhen në atë fazë të jetës kur duhet të heqin dorë nga shumë lojtarë për të ruajtur ata që konsiderohen e ardhmja. Kështu, e ardhmja e Robert Levandovskit në Mynih është ende në pikëpyetje. Polaku ka një kontratë deri në 2023 me bavarezët të cilët duan të vazhdojnë bashkëpunimin me lojtarin.

Drejtuesit e klubit duan që Leva ta përfundojë karrierën në Mynih, por ende nuk janë të sigurt nëse golashënuesi më i mirë i Bundesligës kërkon të njëjtën gjë. Për këtë arsye në Mynih janë përgatitur për çdo skenar të mundshëm.

Sipas “Sport Bild”, kampionët në fuqi kanë vendosur një çmim për sulmuesin polak në rast se ky i fundit nuk do të pranonte rinovimin. Ai do të kushtojë 60 milionë euro për cilindo që kërkon shërbimet e tij. Me këto para skuadra bavareze do të ishte e gatshme të financonte një tjetër goditje të madhe.

Bëhet fjalë për Erling Halandin i cili do të linte Borusian për Bajernin duke u bërë kështu një nga lojtarët më të paguar në skuadrën kampione. Edhe një herë tjetër, skuadra bavareze do t’i rrëmbente një tjetër yll skuadrës verdhezi e cila në vitin 2014 humbi Levandovskin i cili u transferua me parametra zero në Mynih.

MYLER KËRKOHET NË ANGLI

Të gjithë e dinë që Fahrad Moshirit i pëlqejnë emrat e mëdhenj. Vetëm ai mund të mendojë që të sjellë në “Goodison Park” Tomas Mylerin. Ky i fundit është një legjendë e skuadrës gjermane, Bajernit të Mynihut, dhe kombëtares.

Fituesi i Kupës së Botës në 2014 me “Pancerat”, fituesi i 2 tripletave dhe 10 kampionateve, Myler është një diamant, një lojtar që do ta ëndërronte çdo skuadër. Edhe pse 32 vjeç, Tomasi është duke kaluar formën e jetës në Mynih. Hansi Flik vendosi ta rikthente lojtarin dhe ta vendoste në qendër të kombëtares për Botërorin e ardhshëm në Katar.

Në Premier Ligë, Everton dhe Njukasëll ia kanë vënë syrin 32-vjeçarit. Të dyja klubet angleze janë të gatshme të mbulojnë me miliona Mylerin edhe pse për momentin lojtari nuk ka ndër mend të lëvizë nga Mynihu. Në një intervistë për mediat gjermane pas Vitit të Ri, Myler tha se nuk kishte ndër mend të largohej nga Bajerni, të paktën deri në fund të sezonit.

“Kemi përpara një fazë të dytë shumë të rëndësishme. Dua të fokusohem 100% në objektivat që kam me Bajernin dhe më pas do të mendoj për Botërorin. E ardhmja? Kurrë nuk mund ta parashikosh në një profesion të tillë, por për momentin më pëlqen të mendoj vetëm për Mynihun”, shprehej Myler.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"