“Fola me Bajramin para se të shkoja tek Sasuolo”, rrëfimi i Kumbullës: Dua të jem në Europian, Italinë e mundim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 10, 2024 | 10:00

“Fola me Bajramin para se të shkoja tek Sasuolo”, rrëfimi i Kumbullës: Dua të jem në Europian, Italinë e mundim

Pardje mbushi 24 vjeç dhe përpara ka ende një karrierë të gjatë. Marash Kumbulla kaloi në huazim nga Roma te Sasuolo në ditën e fundit të merkatos së janarit.

Kumbulla

Mbrojtësi i Kombëtares ka nisur stërvitjen te skuadra e re dhe pret të debutojë këtë fundjavë. Duke folur për faqen zyrtare të klubit, Kumbulla ka dhënë edhe intervistën e parë si lojtar i Sasuolos.

Ai prek të gjithë rrugëtimin, që te moshat e Veronës, debutimi në Serinë B dhe më pas në Serinë A. Mosrefuzimin e ofertës nga Roma, pjesën e vështirë të karrierës së tij me dëmtimin, si edhe pse zgjodhi Kombëtaren shqiptare dhe ambiciet për në Europian.

VERONA- “Kam kaluar në të gjitha grupmoshat e Veronës, deri sa shkova 15 vjeç ishte thjesht një lojë për mua, pastaj e kuptova që kisha mundësinë të bëja diçka. Vërtet ishte një lojë, por e mora seriozisht, doja të shkoja sa më larg, të luaja në Serinë A dhe ia arrita, po ashtu edhe të shënoja me të njëjtën fanellë. Ka qenë një moment shumë i bukur. Në sektorin e të rinjve, ajo që kam mësuar është puna, sepse kam pasur gjithmonë trajnerë që të bënin të stërviteshe shumë dhe të kuptoje se duhet të qëndroje me këmbë në tokë. Te të rinjtë deri në moshën 9-10 vjeçare kam luajtur si mesfushor qendre, e pastaj më spostuan në qendrën e mbrojtjes, ku luaj edhe sot”, tha Kumbulla.

FAMILJA- “Një nga momentet më të rëndësishme në karrierën time ka qenë kontrata e parë si profesionist. Është diçka që ma tha agjenti dhe unë e familja ime u lumturuam shumë. Ka qenë një nga gjërat më të bukura që klubi ku je rritur të të ofronte një kontratë. Vëllai im është arbitër dhe sa herë takohemi, flasim për raste që janë të dyshimta. Shkëmbejmë mendime. Në Serinë B kam pasur emocione sepse ishte edhe fillimi dhe jam aktivizuar gjatë ndeshjes. Gjithsesi, edhe në Serinë A kam shumë emocione të bukura, por nëse do t’i krahasoja të dyja, ajo në Serinë B me Veronën ka qenë më emocionuese”, shtoi ai.

JURIÇ- “Ka qenë ai që më dha mundësinë që të luaj në Serinë A dhe e falënderoj gjithmonë që pati besim tek unë. Do të takohemi këtë fundjavë dhe në fushë do të jemi kundërshtarë, do bëjmë gjithçka që të fitojmë ne dhe në fund patjetër që do ta përshëndes. Ndeshja me Torinon sigurisht që nuk është e lehtë. Ata janë një skuadër e fortë fizikisht, luajnë një kundër një në të gjithë fushën. Duhet të bëjmë kujdes, por jam i bindur se me kualitetet që kemi mund t’i vendosim në vështirësi”, u shpreh mbrojtësi.

ROMA- “Verona ka qenë, le të themi, si shtëpia ime. Ka qenë bukur sepse kam luajtur rregullisht dhe kemi bërë sezon të mirë. Pastaj erdhi oferta nga Roma dhe nuk mund ta refuzoja. Kanë qenë tri vite e gjysmë shumë të bukur, me ulje-ngritje. Madje arritëm të fitonim edhe një trofe, atë të Ligës së Konferencës. Finalja në Tiranë ka qenë super emocionuese edhe pse unë nuk luajta. Kam ndierë të gjithë energjinë e popullit tim shqiptar që bënte tifo për ne. Na kanë ndihmuar shumë që ta fitojmë atë ndeshje, sepse ka qenë shumë sfidë e vështirë. Kur arbitri dha sinjalin e fundit, ka qenë një gëzim i pastër”, tregoi ai.

GOLAT- “Kam shënuar disa gola në karrierën time, sidomos nga krosimet që vijnë nga këndi. Nuk jam sulmues dhe nuk është detyra ime kryesore të shënoj, por është diçka që më pëlqen. Sa herë fitojmë këndore, shkoj në zonë dhe kam si objektiv që të fus topin brenda. Shpresoj që të bëj ndonjë gol edhe këtu me Sasuolon”, tha 24-vjeçari.

DËMTIMI- “Dëmtimi ka qenë një nga momentet më të vështira dhe vjen në momente që nuk i pret. Kam pasur shumë vështirësi në javët e para, sepse nuk mund të ecja dhe kisha nevojë të rrija shtrirë. Ka qenë sfidë e vështirë, por tani jam gati fizikisht dhe mezi pres që të zbres në fushë. Jam rikuperuar plotësisht, pasi kisha edhe një shqetësim të vogël muskulor. Po stërvitem me skuadrën dhe do të mundohem të qëndroj sa më gjatë në fushë”.

SASUOLO- “Ka qenë gjithçka shumë e shpejtë. Agjenti më tha se duhet të shkosh te Sasuolo për vizitat mjekësore. Erdha dhe kjo ka qenë dita e parë. Kam folur edhe me Nedim Bajramin, që përpara se të nisesha dhe më ka thënë që po të pres këtu. Mbërrita dhe jam i lumtur për këtë. Jam stërvitur me ekipin dhe kam gjetur një grup çunash shumë të mirë, një trajner të karikuar dhe që kërkon rezultate. Është një ambient i bashkuar. Renditja nuk është e bukur, por e dimë që me punë mund ta përmirësojmë këtë situatë. Ju them tifozëve që nuk ka rëndësi sasia, por cilësia. Nuk është e rëndësishme nëse janë 50 apo 50 mijë, por do të na japin një dorë. Forca Sasuolo”.

KOMBËTARJA- “Për mua Kombëtarja shqiptare është shumë e rëndësishme sepse është ajo që kam dashur gjithmonë. Familja ime është shqiptare, edhe pse unë kam lindur në Itali. Kam pasur mundësi të zgjedh dhe zgjodha Shqipërinë sepse zemra ishte më shumë për të. Në Europian ndeshja e parë është kundër Italisë. Nuk e prisja, sepse është e vështirë të luash kundër, por Kombëtarja mbi të gjitha. Do të jetë emocionuese dhe shpresoj të jem dhe të fitojmë ne”, tha Kumbulla.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"