Flamurtari përgatit hakmarrjen, Troisi: Me Tërbunin, si një finale për ne!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2022 | 10:01

Flamurtari përgatit hakmarrjen, Troisi: Me Tërbunin, si një finale për ne!

Flamurtari është gati për “hakmarrje” kundër Tërbunit. Në Vlorë nuk është harruar ndeshja e 6 qershorit 2021, kur në stadiumin “Elbasan Arena”, pukjanët mposhtën me penallti Flamurtarin në ndeshjen e “play-out”-it, duke i zbritur vlonjatët për herë të parë në Kategorinë e Dytë.

TROISI

Ai ishte momenti më i errët në historinë e Flamurtarit. E megjithatë, ndeshja e së dielës që do të zhvillohet në Vlorë, është vlerësuar maksimalisht nga kuqezinjtë.

Për “Panorama Sport”, trajneri Marcelo Troisi shprehet se do të jetë një sfidë e vështirë, por sipas tij do të kërkohet vetëm maksimumi. Braziliani deklaron se Flamurtari duhet të fitojë me çdo kusht këtë takim të radhës.

“Ndeshja me Tërbunin do të jetë shumë e vështirë. Madje mund të them se ka rëndësinë e një ndeshjeje finale për ne. E dimë që në këtë ndeshje nuk do ta kemi aspak të lehtë, por duhet të fitojmë me çdo kusht.

E respektojmë kundërshtarin, por do të bëjmë gjithçka për të marrë trepikëshin e radhës”, ka thënë fillimisht trajneri Troisi për gazetën. ECURIA – Braziliani që drejton kuqezinjtë shprehet më tej se kampionati është shumë i fortë dhe se çdo ndeshje shikohet si finale. Kreu i pankinës vlonjate është i kënaqur me reagimin e skuadrës deri më tani.

“Ky kampionat është shumë i fortë. Nëse duam që të arrijmë objektivin që kemi, atëherë çdo ndeshje duhet ta shikojmë si finale. Jam i kënaqur me skuadrën, pasi po rritet nga ndeshja në ndeshje.

Lojtarët po harmonizohen me njëri-tjetrin dhe kjo gjë më kënaq”.

SITUATA – Përballë Tërbunit, Flamurtari do të jetë më i plotë, pasi Xhonatan dhe Juri do të rikthehen. Dy brazilianët ishin të dëmtuar dhe u lanë pushim për ndeshjen me Vllazninë. Trajneri Troisi do të ketë tashmë dy alternativa më shumë në skuadër dhe që kanë bërë mirë kur janë aktivizuar.

Ndërkohë, dy lojtarë të tjerë do të vazhdojnë të mungojnë. Andi Ribaj dhe Reinaldo Mukoj ende nuk janë rikuperuar. Në sulm tashmë është edhe Flores, vlerat e të cilit dihen.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"