Flamurtari nuk ekziston më, Ahmataj: Pres telefonatën e Idrizit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 25, 2019 | 15:54

Flamurtari nuk ekziston më, Ahmataj: Pres telefonatën e Idrizit

Flamurtari nuk ekziston as në letër. Situata në Vlorë sa vjen e bëhet edhe më kaotike. Çdo ditë që kalon nuk bëhet fjalë që të ketë ekip. Flamurtari nuk ekziston as në letër, pasi nuk ka lojtarë. Ata që përfliten apo kanë mbetur janë vetëm të rinj dhe lojtarë të akademisë vlonjate. Situata mbetet më shumë se e nderë.

flamurtarii

Asnjë lojtar nuk është në kontratë me klubin. Nga futbollistët që mbyllën sezonin në Vlorë, nuk ka qëndruar asnjë. Disa prej tyre kanë gjetur ekipet e reja, ndërsa të tjerët janë në pritje. Por, këta të fundit as që e shkojnë nëpër mend që të rikthehen në Vlorë, pas një sezoni të tërë në ankth dhe pa u paguar. Alternativë e vetme për momentin mbetet afrimi i lojtarëve të rinj të akademisë, apo edhe të futbollistëve vlonjatë pa ekipe dhe në prag të mbylljes së karrierës.

TRAJNERI – Flamurtari nuk ka as trajner. Trajneri Julian Ahmataj shprehet se është në pritje të një telefonate nga administratori Sinan Idrizi. Ahmataj ka marrë projektin e klubit vlonjat dhe ka dhënë miratimin. Topi tani mbetet në portën e Idrizit. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, trajneri Julian Ahmataj tha se është në pritje. “Jam në pritje të telefonatës së presidentit Idrizi”, tha dje shkurtimisht Ahmataj. Nga ana tjetër, administratori Sinan Idrizi thotë se Julian Ahmataj është trajneri i ri i Flamurtarit dhe se puna për ndërtimin e ekipit të ri do të nisë këtë javë. “Me 90% Julian Ahmataj është trajneri i ri i Flamurtarit. Do të fillojmë këtë javë punën dhe ekipi do të dalë në stërvitje”, tha Idrizi. Klubi i ka dhënë konfirmimin trajnerit Ahmataj për kushtet e tij, si ato financiare, por edhe për stafin që tekniku ka shprehur dëshirën ta përcaktojë dhe afrojë vetë.

ahmataj

FRIKA – Situata në Vlorë mbetet kaotike. Ka lojtarë që ende nuk janë paguar. Klubi nuk i ka likuiduar ende lojtarët e sezonit të shkuar si dhe stafin teknik. Nuk dihet si do të zgjidhet kjo çështje. Gjyqet janë në prag të derës, në të kundërtën. Absurd mbetet fakti se si klubi mund të nënshkruajë marrëveshje të reja pa pasur një datë se kur do të shlyejë borxhet e sezonit të kaluar. Nga ana tjetër, është FSHF-ja që mund t’i ndëshkojë. Klubin vlonjat e pret moslicencimi në Superiore nëse nuk paguan borxhet deri më 31 korrik. Përveç letrës dhe kërkesës së drejtuesve vlonjatë drejtuar FSHF-së për të mos u nxituar në vendimmarrjen e saj, Flamurtari nuk ka hedhur asnjë hap drejt zgjidhjes së çështjes, ku deri më tani nuk ka asnjë sinjal për nisjen e pagesës së borxheve.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"