“Flamurtari kap elitën”, Bicaj paralajmëron marshimin: Rivalë kemi… Dinamon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2022 | 22:38

“Flamurtari kap elitën”, Bicaj paralajmëron marshimin: Rivalë kemi… Dinamon

Ditmar Bicaj “zgjedh” Dinamon si rivalen e vetme të Flamurtarit, kundërshtarin e kësaj jave. Nuk anashkalon Korabin dhe Apoloninë, por kryeqytetasit i cilëson më të rrezikshëm në këtë garë.

ditmar bicaj

Në një intervistë për “Panorama Sport”, mbrojtësi flet edhe për incidentin e ndodhur me Tërbunin, ndërsa rrëfen se gjithçka nisi prej sjelljes së Viktor Gjonit. Lezhjani thekson se skuadra po ndryshon dhe ka bindjen se kanë organikën e duhur për të realizuar misionin “Superiore”.

Flamurtari mundi Tërbunin dhe tashmë është e treta në renditje. Mos e ndërlikuat pak rrugën drejt fitores?

Fitore e vështirë, duke parë edhe se sa raste shpërdoruam. Ndeshja vërtetë u ndërlikua, megjithatë jam shumë i kënaqur për fitoren. Përpara ndeshjes e kishim vlerësuar shumë kundërshtarin, duke marrë parasysh ecurinë që kanë pasur këto javë.

Në fund u shënuan incidente. Çfarë ndodhi vërtetë?

Sa i përket incidentit në fund të ndeshjes, nuk e di se çfarë ka ndodhur. Di të them që kam parë vetëm atë rrëmujën në fund të saj.

OK, por kush u bë shkak i atij sherri?

Ka pasur një provokim nga ana e drejtorit të Tërbunit, një ofendim karshi tribunës qendrore. Pastaj ka degraduar situata, por falë ndërhyrjeve të forcave të policisë, u qetësua. Di të them që kush ka ardhur në Vlorë është respektuar. Këtë radhë nuk e di çfarë ndodhi. Por ishte ai provokim që solli shpërthimin e tifozërisë.

Si e vlerësoni këtë kampionat?

Kampionati është jashtëzakonisht i vështirë. Dinamo, Tërbuni, Apolonia, janë ekipe shumë të forta. Megjithatë, dua të them që kundërshtari ynë i vetëm është Dinamo, por duhet të jemi me këmbë në tokë dhe të jemi profesionistë, sepse gabimet e javëve të para nuk duhet t’i përsërisim me ekipet e vogla.

Deri tani duhet të kishim katër pikë më shumë, çka do të thotë se duhet të ishim në vend të parë. Megjithatë, pas dy javëve jo të mira, reaguam dhe kemi kapur ritmin. Më gëzon edhe paraqitja në Kupë, ishim dinjitozë.

Kë shikoni si rival në kampionat?

Rival shikoj Dinamon. Por po ashtu edhe Korabin me Apoloninë. Këto ekipe janë shumë të forta. Por si rival të vetëm shikoj Dinamon.

Do ta arrini Superioren, që është edhe objektivi kryesor?

Po, patjetër që objektivi është elita. Me organikën që kemi e them me bindje se do të jemi në Superiore sezonin që vjen.

A po ndryshon kjo skuadër?

Skuadra ka ndryshuar. Ekipi pas një faze përgatitore dymujore është liruar. Po ashtu afrimet e reja tashmë janë adaptuar me ekipin, por edhe me qytetin.

Mendonit se duhet të kishit shkuar më larg në Kupën e Shqipërisë?

E mundëm Vllazninë në ndeshjen e parë. E kemi çuar në shtesa në ndeshjen e kthimit. Ky ekip ka forcë të jashtëzakonshme.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"