Flamurtari e Tirana, më të suksesshmit e 2023-shit në basket. Ndarja e të gjithë trofeve në sportin e koshit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 26, 2023 | 19:28

Flamurtari e Tirana, më të suksesshmit e 2023-shit në basket. Ndarja e të gjithë trofeve në sportin e koshit

Basketbolli shqiptar ka mbyllur aktivitetet e vitit 2023, teksa pak ditë më parë FSHB mbajti edhe asamblenë e zakonshme. Edhe ky vit, ashtu sikurse paraardhësi ishte me një kalendar të ngjeshur, me kompeticione kombëtare, por gjithashtu edhe aktivitete mbarëkombëtare në radhët e femrave.

flamurtari basket fermra

Përtej problematikave të zakonshme që tashmë njihen, duke nisur nga ana financiare, deri në pjesën e infrastrukturës, me thuajse të gjitha pallat e sportit që janë jashtë standardeve të FIBA-së për të luajtur për basketboll, sporti i koshit dhuroi emocione, të cilat kulmuan sidomos në finalet e kampionateve, por edhe në finalet e kompeticioneve të tjera kur në parket është luajtur për trofe.

Tashmë me vitin 2023 që po i drejtohet fundit, le të shohim se cilat kanë qenë skuadra më të suksesshme të basketbollit shqiptar, ato që kanë ngritur trofetë te femrat dhe te meshkujt. Në radhët e vajzave Flamurtari e ruajti fronin, duke vijuar dominimin e dekadave të fundit në kampionat, ndërsa te djemtë kishim rikthimin e Tiranës në majë.

FEMRAT

– Nëse pjesën e parë të edicionit 2023-2024 Flamurtari e mbylli në vend të parë në kampionat, vlonjatet ishin gjithashtu më të suksesshmet edhe për vitin kalendarik. Skuadra e drejtuar nga Elona Hasanaj, i shtoi palmaresit të klubit bregdetar 3 trofe gjatë 2023-shit, duke nisur nga kompeticioni më i rëndësishëm, siç ishte fitimi i titullit kampion. Titulli i 25-të në histori për Flamurtarin, i 16-ti në 18 sezonet e fundit, erdhi pas triumfit 3-1 në serinë e finaleve ndaj Partizanit. Vlonjatet koleksionuan gjithashtu edhe Kupën e Shqipërisë gjatë këtij viti, suksesi i 20-të për to në këtë kompeticion, ndërsa ngritën lart edhe trofeun e Kupës së FSHB-së, aktivitet kolaudues që zhvillohet në javën para startit të kampionatit.

Gjatë këtij viti rezultate të rëndësishme ka arritur edhe Partizani, skuadra që solli për herë të parë në Shqipëri trofeun mbarëkombëtarë të Ligës Unike. Të kuqet e Eliverta Bujarit triumfuan pas një finaleje shumë të bukur në shtëpinë e rivaleve, duke mundur Flamurtarin në Vlorë. Por përveç Ligës Unike rreth një muaj më parë Partizani ngriti lart një tjetër trofe, duke mundur sërish në finale Flamurtarin, këtë herë në “Feti Borova” në Superkupën e Shqipërisë, për të mbyllur me festë një vit të suksesshëm.

MESHKUJT

– Në radhët e djemve gjysma e parë e sezonit 2023-2024 është karakterizuar nga dominimi absolut i Besëlidhjes, me lezhjanët që e mbyllën Fazën 1 duke i fituar të gjitha ndeshjet. Por për sa i përket viti kalendarik është Tirana skuadra më e suksesshme e Shqipërisë. Bardheblutë e Erkand Karajit thyen hegjemoninë e ekipeve durrsake, duke rikthyer titullin në kryeqytet pas 5 sezonesh. Triumf që erdhi pas një prej përmbysjeve më spektakolare në finale kundër Besëlidhjes. Ndonëse ishin lezhjanët ata që fituan dy sfidat e para, Tirana arriti të kthente gjithçka në favor të saj, duke përmbysur në 3-2, për të bërë të sajin titullin e 21-të kampion në histori.

tirana basket meshkuj

Ndërsa për tu veçuar ishte edhe numri rekord i tifozëve gjatë finaleve, me pallatin e sportit “Asllan Rusi” të mbushur plot, si në kohët e arta të basketbollit shqiptar. Gjatë 2023-shit bardheblutë festuan gjithashtu edhe suksesin në Superkupë, duke dominuar ndaj Teutës në Durrës. Ndërkohë Kupa e Shqipërisë, trofeu i dytë për nga rëndësia në arenën kombëtare, u fitua nga Teuta. Durrsakët të drejtuar asokohe nga Melzin Lazimi mposhtën Kamzën në finale, sfidë e zhvilluar në janar. Për sa i përket Kupës së FSHB-së, për të dytin vit radhazi ky trofe fitohet nga Besëlidhja. Lezhjanët e Afrim Bilalit mundën në finale Tiranën, për ta nisur sezonin me trofe, ndërsa synojnë suksese më të rëndësishme në vitin 2024.

BAS

ARTIN LLESHAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"