“Flamurtari duhet të ketë personalitet”, Memushi: Në fushë luajnë lojtarët, jo stafi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 4, 2024 | 14:06

“Flamurtari duhet të ketë personalitet”, Memushi: Në fushë luajnë lojtarët, jo stafi

Eqerem Memushi është i prerë kur thotë, se skuadra duhet të ketë personalitet. Nuk mjafton vetëm loja, por duhen pikët. Për “Panorama Sport”, trajneri vlonjat thekson se stafi bën punën e vet me udhëzimet që i jep skuadrës, ndërsa futbollistët duhet të jenë më të përgjegjshëm.

memushi ribaj shkurtaj

“Skuadra krijon, por duhet të ketë personalitet. Ekipi duhet të luajë dhe të tregojë fytyrën e vërtetë në fushë. Nuk na mjafton volumi i lojës dhe të gjitha ato që krijojmë. Duhet të jemi edhe pak cinik përpara rasteve që na krijohen. Është ligji i futbollit, që kur nuk shënon, do ta pësosh. Ekipi u rrezikua në dy raste shumë serioze për ta humbur ndeshjen me Apoloninë. Ne bëjmë detyrën tonë, i gjithë stafi. Lojtarëve u japim detyra. Tani i bie që të futemi ne në fushë dhe të luajmë. Duhet që edhe futbollistët të kuptojnë përgjegjësitë e tyre”, shprehet fillimisht Memushi.

SHTËPIA SI MAKTH – Trajneri Eqerem Memushi thekson se ndeshjet në Vlorë janë detyrë shtëpie. Ai i mëshon faktit se skuadra duhet të shënojë, pasi rritet morali dhe ana psikologjike. “Ndeshjet brenda në fushën tonë janë detyrë shtëpie. Nuk duhet që të diskutohet fare fitorja. Nuk e di, nuk kam fjalë për të thënë. Skuadra në ndeshjen e fundit luajti dhe dha maksimumin, por lojtarët duhet të jenë më të qartë dhe më të pastër përpara situatave që krijohen për të shënuar. Nëse do të shënonim, do të shikonim tjetër skuadër në ndeshjen me Apoloninë. Ashtu rritet morali, rritemi nga ana psikologjike, rritet freskia fizike”, deklaroi Memushi.

PRESION – Eqerem Memushi nuk mendon se skuadra është në presion nga tifozët në shtëpi. Trajneri vlonjat thotë se ekipi duhet të tregojë “dhëmbët” ndaj çdo kundërshtari dhe ta zgjidh ndeshjen brenda 25 minutave të para. “Presion nga tifozët? Jo, nuk mendoj. Tifozët vlonjatë janë gjithmonë të pranishëm në stadium. Nuk kemi parë që të dalin kundër skuadrës sonë. Ata na kanë dhënë kurajë dhe na kanë mbështetur. Është detyrë e tyre për ta thjeshtuar punën.

Kur krijohen situatat e golit, duhet që të luajnë sa më thjesht dhe të jemi të pastër përpara portës. Nuk është se nuk po krijojmë. Kemi dy ndeshje, si ajo me Lushnjën dhe Apoloninë në Vlorë, që kemi krijuar volum loje dhe situata për gol. Ashtu sikundër edhe jemi ndëshkuar. Duhet të kemi mentalitet fituesi. 20 minutat e para në Vlorë duhet që skuadra të tregojë ‘dhëmbët’, që ne jemi të zotët dhe do ta zgjidhim patjetër ndeshjen brenda atyre 20-25 minutave”, përfundon Memushi.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"