“Flamurtari do ta eliminojë Vllazninë nga Kupa”, Moçka: Kategoria e Parë, më e bukur se Superiorja!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2022 | 12:00

“Flamurtari do ta eliminojë Vllazninë nga Kupa”, Moçka: Kategoria e Parë, më e bukur se Superiorja!

Shpëtim Moçka ka bindjen se Flamurtari është në rrugën e duhur drejt rikthimit në elitën e futbollit shqiptar. Kapiteni vlonjat nuk ngurron të deklarojë në një intervistë për “Panorama Sport”, se Kategoria e Parë e këtij sezoni është më e bukur dhe me më shumë emocione se Superiorja. Portieri beson se skuadra i ka të gjitha mundësitë të eliminojë Vllazninë në ndeshjen e kthimit për turin e parë të Kupës.

SHPETIM MOCKA 1

Shpëtim, pas triumfit në Kupë me Vllazninë, ia dolët të merrnit tri pikë në kampionat ndaj Besës. Është ky Flamurtari i vërtetë?

Në fakt e prisnim. Do t’ju them një sekret: unë parandjeva edhe rezultatin në kokë të ndeshjes me Besën. Përpara takimit disa miqve të mi u thashë, se kisha bindje jo vetëm që do ta fitonim ndeshjen, pasi këtë nuk e diskutoja, por edhe me rezultatin e pastër, 2-0. Nuk e di, por isha shumë i bindur për këtë.

Si ju duket skuadra pas katër javëve kampionat?

Skuadra është drejt konsolidimit dhe mendoj se jemi në rrugë të mbarë. Shpresoj që do të arrijmë objektivin final, që është Superiorja. Për objektivin që ka vendosur klubi, jemi të angazhuar të gjithë për të bërë më të mirën dhe kam bindjen se do ta realizojmë. Ekipi në këto tri ndeshje është paraqitur shumë mirë. Djemtë janë çliruar dhe mund të them se kemi brenda elementë shumë cilësorë. Ju e dini që grupin e kemi ruajtur dhe kjo është një gjë shumë e mirë që kanë bërë drejtuesit. Por, edhe afrimet janë lojtarë të mirë dhe që po përshtaten me skuadrën. Jemi të gjithë bashkë si një familje.

Lushnja është kundërshtari i radhës. Si e shikoni këtë ndeshje?

Nuk ka ndeshje të lehta, por kam bindjen se Flamurtari e ka të gjithë potencialin për të marrë maksimumin. Kemi kohën e nevojshme për ta përgatitur këtë ndeshje.

Të flasim pak për Kupën. Besoni se do ta kaloni Vllazninë?

Në Vlorë fituam me meritë dhe do të shkojmë në Shkodër të avantazhuar për t’u kualifikuar, pasi rezultati i ndeshjes së parë flet për ne dhe na jep të drejtë të besojmë te suksesi.

Kategoria e Parë e këtij sezoni ka shumë klube të lavdishme të futbollit shqiptar. Ju ngjason me elitën?

Natyrisht që është kampionat i vështirë, por edhe shumë i bukur. Ka skuadra me emër dhe traditë në futbollin shqiptar. Madje mund të them se është më e bukur dhe me më shumë emocione edhe sesa Superiorja. Është një kampionat që duhet të ndiqet. Unë falënderoj edhe tifozët që janë rikthyer në stadium dhe po na mbështesin.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"