Flamurtari dhe Apolonia, pakt presidentësh. Batuta e Idrizit: Koço është nip atentatorësh, unë jam nip ballisti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 19, 2024 | 14:11

Flamurtari dhe Apolonia, pakt presidentësh. Batuta e Idrizit: Koço është nip atentatorësh, unë jam nip ballisti

Kundërshtarë në fushë, por miq jashtë saj. Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, priti në zyrë dje presidentin e Apolonisë Koço Kokëdhimën dhe bashkëshorten e tij. Futbolli, ecuria e skuadrave, gara, por edhe politikat ekonomike në futboll ishin pjesë e bisedës mes dy krerëve të klubeve të Kategorisë së Parë, që mund të jenë kundërshtarë edhe në fazën “play off”.

idrizi kokedhima

Për “Panorama Sport”, presidenti i Apolonisë, Kokëdhima, në lidhje me takimin me homologun Idrizi u shpreh: “Kam ardhur të takoj mikun tim Sinanin. Piva kafe me të. Ishte një takim miqësor. Sinani është një person shumë i kulturuar dhe shumë interesant, kështu që unë kam kënaqësi sa herë që mundem ta takoj. Apolonia dhe Flamurtari janë klube të mira. Janë klube të investuara dhe të suportuara. Lojtarët tanë rriten dhe zhvillohen. Nuk vuajnë probleme. Apolonia dhe Flamurtari janë klube të mira dhe patjetër që do të kenë të ardhme”.

Sinan Idrizi zbardh më në detaje se çfarë u diskutua mes palësh. “Folëm për konkurrencën dhe garën. Por ata që duhet të organizojë garën e prishin atë. Folëm me Koçon dhe i thashë, çfarë do të bëjmë. Nuk ka vlerë të organizojmë garën kur ata që e organizojnë prishin konkurrencën. Koço ka edhe një program të detajuar me kërkesa dhe detyrime për çdo gjë.

Ishte i qartë për epokën zero të futbollit si një ekonomi tashmë. Sporti në Itali është një pikë që ka hyrë në Kushtetutë, ndërsa te ne sportin e kemi për sport. Politikat i kemi pak më të mira, pasi unë jam i djathtë dhe Koço i majtë. Ai është nip atentatorësh, unë jam nip ballisti(qesh). Këtu pastaj zihemi”, përfundon Idrizi.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"