Flamurtari bind Gilberton për 90 mijë euro në sezon, tani synohet edhe shkodrani Vucaj

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Gusht 8, 2014 | 9:05

Flamurtari bind Gilberton për 90 mijë euro në sezon, tani synohet edhe shkodrani Vucaj

GILBERTOGilberto Fortunato arrin akordin për 90 mijë euro në sezon me Flamurtarin. Sulmuesi brazilian që sezonin e mbylli te Tirana, duket se do të përfitojë të njëjtën shumë që do të marrë edhe kosovari Shkodran Metaj. Burime pranë klubit vlonjat pohojnë se kanë arritur tashmë edhe akordin me sulmuesin brazilian. Gilberto shikohet si një përforcim i duhur për sulmin vlonjat që së bashku me Abilaliajn dhe Shehajn do të përbëjnë një dyshe sulmuese me shumë potencial te Flamurtari. Braziliani Gilberto Fortunato duket se është zgjidhja e problemeve në sulm, për vetë faktin se në këtë repart kuqezinjtë kanë pasur mangësi, me gjithë gatishmërinë e Abilaliajt dhe Shehajt. Tashmë duket më i kompletuar reparti ofensiv dhe me afrimin e brazilianit, duket se mbyllet edhe operacioni i vlonjatëve për kërkimin e një sulmuesi. 27-vjeçari ka një karrierë të pasur, ndërsa sezonin e kaluar e ka mbyllur te Tirana. Në garë për të kanë qenë edhe klube të tjerë të Superiores si Tirana, Kukësi, Partizani apo edhe Skënderbeu, por duket se oferta e Flamurtarit e ka bindur të vishet kuqezi.
Konfirmimi Burime pranë klubit vlonjat konfirmojnë se Gilberto Fortunato ka arritur akordin me klubin e Flamurtarit dhe se ka rënë dakord për kushtet e kontratës, përfshi këtu edhe ato financiare. Mësohet se Gilberto do të mbërrijë në Vlorë gjatë ditëve në vazhdim. Ndoshta në dy ose tri ditët e ardhshme, pritet që të bëhet në Vlorë edhe prezantimi zyrtar i tij, ku braziliani do të nisë më pas edhe stërvitjen me Flamurtarin. Akordi është arritur tashmë dhe klubi ka gati edhe biletën për sulmuesin brazilian që shumë shpejt do të vishet kuqezi.
Përballë së shkuarës Sezonin e shkuar, vetëm pak muaj më parë, Gilberto Fortunato “flirtonte” me Tiranën në deklarata, ndërsa shprehej se ngjarja e ndodhur në Vlorë, e shoqëruar me incidente, e bënte atë të pavendosur për të ardhmen. “Ajo që ndodhi në Vlorë është diçka që më bën të mendohem përpara se të vendos për sezonin tjetër. Duhet të ndryshojë diçka për të më mbajtur këtu. Nuk më pëlqeu aspak ajo që ndodhi në Vlorë. Ne shkuam për të luajtur futboll dhe atje filluan të bënin luftë”, deklaronte asokohe Gilberto.
Negociata me Vucajn Pas afrimit të kosovarit Shkodran Metaj dhe në pritje të Gilbertos, te kuqezinjtë do të ketë edhe të tjera përforcime. Në klubin vlonjat nuk flasin për emra konkretë, por mësohet se Flamurtari po punon intensivisht për të marrë mesfushorin e Laçit, Erjon Vucaj. Fantazisti shkodran nuk ka gjetur akoma gjuhën e përbashkët me klubin polak Ruh Horzhov. Negociatat nisën mirë me këtë ekip, por më pas situata u ndërlikua dhe lojtari ende nuk ka nënshkruar. Vucaj do të ishte një zëvendësues i denjë për Zeqirin, por më parë duhet arritur akordi me Laçin, sepse burime pranë lojtarit bëjnë të ditur se ai ka një marrëveshje burrash me drejtuesit kurbinas se në Shqipëri do të luajë vetëm me bardhezinjtë. Në garë për mesfushorin 24-vjeçar është edhe Partizani.
ERMAL SIKA





www.minuta90.com