Flamurtari ankth për kapitenin, Troisi ngujon ekipin te porta/ Kuqezinjtë në krizë goli

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2022 | 23:27

Flamurtari ankth për kapitenin, Troisi ngujon ekipin te porta/ Kuqezinjtë në krizë goli

Flamurtari në ankth për kapitenin. Andi Ribaj këto ditë nuk ka dalë në stërvitje me skuadrën për shkak të dëmtimit, i cili po e mundon që nga faza përgatitore. Kapiteni është i dëmtuar në gju dhe kjo ka bërë që ai të stërvitet i diferencuar.

ANDI RIBAJ 1

Burime pranë lojtarit konfirmojnë për “Panorama Sport”, se sulmuesi fierak do të niset sot në drejtim të Tiranës për një ekzaminim më të specializuar, për të parë edhe gjendjen e gjurit dhe rehabilitimin e dëmtimit. Në Vlorë janë me shpresë të madhe që Ribaj të marrë përgjigje pozitive për t’u rikthyer sa më shpejt në fushën e lojës dhe t’i bashkohet grupit në stërvitje.

Duke mos pasur sukses në prodhimin e golave në dy ndeshjet e para, me Luzin dhe Korabin, mungesa e Ribajt po ndihet së tepërmi pasi duket se sulmuesit e tjerë nuk po japin rendimentin e duhur. Oliviera, Metani, Iakovelli, Jonatan Silva dhe Fouseni Kamisoko duket se nuk po lidhen me pjesën tjetër të skuadrës, pasi Flamurtari është riformatuar. Për t’i paraprirë së keqes në ndeshjen me Turbinën, trajneri Marcelo Troisi e ka nisur në “sulm” javën.

Braziliani i ka rreshtuar të gjithë përpara portës, për të gjetur njeriun ideal të golit. Vlonjatët po vuajnë edhe çështjen e vizës së Erik Flores, që luten të zgjidhet sa më shpejt. Lajm i mirë është se nuk rrezikon Behar Ramadani. Shkodrani doli i dëmtuar nga ndeshja e fundit, por pa probleme serioze. Trajneri Troisi dhe drejtori i klubit Alfred Ferko kërkojnë kthesën e skuadrës. Kuqezinjtë janë të dënuar për të fituar dhe tri pikët janë detyrim.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"