Ferko nuk e bën dramë eliminimin: Flamurtari u duartrokit në Shkodër, Vllaznia nuk e meritoi kualifikimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 14, 2022 | 21:02

Ferko nuk e bën dramë eliminimin: Flamurtari u duartrokit në Shkodër, Vllaznia nuk e meritoi kualifikimin

Alfred Ferko nuk e bën dramë eliminimin nga Kupa e Shqipërisë, teksa të mërkurën Flamurtari humbi 3-0 ndaj Vllaznisë pas kohës shtesë. Për drejtorin sportiv të kuqezinjve, problemet në finalizim sollën këtë rezultat.

SINAN IDRIZI ALFRED FERKO 2

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Ferko thekson se tashmë të gjitha energjitë janë përqendruar te kampionati për arritjen e objektivit, që është rikthimi në Superiore. Ish-futbollisti i brezit të artë vlonjat vlerëson garën e fortë, por gjithashtu beson se kualitetet që ka Flamurtari në skuadër do të bëjnë diferencën.

Ferko, u duk sikur Flamurtari do të kualifikohej më tej me paraqitjen që bëri në 90 minuta ndaj Vllaznisë, por u thye në shtesë më pas…
Natyrisht që ishte një ndeshje e mirë për ne, pasi rezultati 2-1 në Vlorë na mbushi me shpresë për të tentuar deri në fund kualifikimin. Bëmë një ndeshje shumë të mirë, por rezultati ishte ai që ishte. Gjithsesi, nuk ka asgjë për t’u dëshpëruar, pasi duhet të vazhdojmë përpara. Kampionati mbetet objektivi kryesor për Flamurtarin.

Në syrin tuaj, çfarë ndodhi që ekipi u godit sapo filloi shtesa?
Ne shpërdoruam, me gjithë respektin për Vllazninë, por që nuk mund të them se nuk e meritoi kualifikimin. Ajo që na mbeti peng ishte që duhet të kishim shënuar ne të parët. Kishim disa raste, por që mbetet të themi se loja e mirë që bëmë u duartrokit edhe nga tifozët e Vllaznisë kur mbaroi ndeshja. Kjo mbetet kënaqësi gjithnjë për ne.

Nga kampionati te ndeshjet e Kupës, ju jep besim kjo skuadër?
Natyrisht që jam i kënaqur me ndeshjet që skuadra ka zhvilluar. Ekipi ka qenë në rritje dhe një humbje kundër Vllaznisë nuk i zbeh aspak ndeshjet e fundit që kemi bërë, por duhet të jemi më cinik dhe më agresivë, sidomos përpara portës, pasi kemi shpërdoruar shumë edhe me Vllazninë. Ndoshta ishim ne që duhet të kalonim në avantazh disa herë përpara, por tashmë nuk kthejmë dot gjë pas. Është kampionati që ne duhet të vazhdojmë për objektivin kryesor që i kemi vendosur vetes që në fillim.

flamurtari vllaznia

Gara po vështirësohet, çfarë prisni deri në fund?
Të gjitha ekipet kanë pretendimet e tyre, por e kam thënë që në fillim që për ne rikthimi në Superiore mbetet objektivi kryesor. Forcat i kemi, ekipi vjen duke u konsoliduar me lojtarët që po e njohin më mirë njëri-tjetrin. Ju e dini mirë që edhe blerja e re që erdhi, Flores, ka kualitet, kështu që do të jetë akoma më shumë në shërbim të ekipit.

Ju kanë penalizuar dëmtimet që keni pasur dhe mungesa e sulmuesit Ribaj?
Ju e dini shumë mirë kush është Ribaj dhe se çfarë ka bërë për Flamurtarin. Është një lojtar me vlera për ne, kështu që e presim dhe kam bindje se do të rikuperohet shpejt. Edhe në ndeshjen me Vllazninë lamë dy lojtarë për të mos i rënduar më tepër, siç kanë qenë Xhonatan dhe Juri. Për takimin e radhës në kampionat i kemi në dispozicion, kështu që grupi është i plotë. Kemi shumë besim që do të arrijmë objektivin tonë.

Vetëm fitorja ju kënaq në ndeshjen me Tërbunin?
Po natyrisht, ne luajmë gjithmonë për të fituar. Grupin e kemi dhe nuk ka diferencë nëse luhet në Vlorë apo jashtë. Kemi ndërtuar një ekip që do të fitojë, me gjithë respektin për klubet e tjera.

Mënyra e lojës dhe si po shprehet skuadra në fushë ju ka bindur?
Në këtë moment e vetmja që na mungon është finalizimi. Në shprehjen e futbollit është një gol më i lehtë nga ata që janë përpara portës nga sulmuesit. E pamë edhe në Lushnjë që vuajtëm, ku krijuam raste pafund dhe nuk finalizuam. Ndoshta dikush do zhbllokohet dhe do ta kemi më të lehtë për të përballuar ndeshjet dhe për të fituar.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"