“Fëmijët e mi u kërcënuan me jetë”, Açerbi: Vuajta më shumë tani sesa kur kisha tumor

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2024 | 9:12

“Fëmijët e mi u kërcënuan me jetë”, Açerbi: Vuajta më shumë tani sesa kur kisha tumor

Françesko Açerbi ka thyer heshtjen. Pas akuzave të Huan Zhezusit dhe vendimit të Komisionit të Disiplinës që e shpalli të pafajshëm ka vendosur të tregojë sërish versionin e tij dhe ditët e vështira që ka kaluar që nga ndeshja Inter-Napoli. E ka bërë përmes një interviste në “Corriere della Sera”.

acerbi

“Jam i mërzitur dhe i keqardhur për këtë histori. Mendoj se kemi dalë të gjithë të humbur nga kjo. Kur më duhej të dëshmoja përpara prokurorit kam parë njerëz afër meje që më shihnin dhe reagonin rikur kisha bërë 10 vite burg. Jam i lumtur që kam dalë nga një situatë e tillë. Ishin ditë shumë të rënda dhe të vështira. Pse po flas tani? Sepse kisha besim te drejtësia dhe nuk doja që me fjalët e mia të shkaktoja të tjera polemika”, tha fillimisht Açerbi.

Ai thotë se vendimi e çliroi nga një situatë shumë e vështirë në të cilën ndodhej. “Vendimi ishte një çlirim edhe për të gjithë situatën që ishte krijuar rreth meje. Më stresoi shumë për mënyrën si u mbyll në fushën e lojës dhe si reaguan të tjerët pa e ditur të vërtetën. Pashë një urrejtje të madhe sikur të kisha vrarë dikë. Nuk isha kurrë racist. Idhulli im ishte Xhorxh Ueah. Ishte nga të parët që më mori në telefon kur unë u ekzaminova me tumor. Tani që u mor vendimi dua të them versionin tim. Unë nuk kam asgjë kundër Huan Zhezusit dhe më vjen keq edhe për të. Por nuk mund të quash racist dikë për një keqkuptim që ndodhi në fushën e lojës. Dhe kjo nuk mund të vazhdojë më për aq kohë sa u mor një vendim dhe unë u shpalla i pafajshëm”, tha mbrojtësi.

KËRCËNIMET- Sipas tij, gjatë këtyre ditëve ka pasur shumë mesazhe kërcënuese drejt familjes dhe fëmijëve të tij. “Është duke u poshtëruar një person dhe duke u masakruar familja e tij. Por për çfarë? Për diçka që u mbyll në fushë dhe në të cilën racizmi nuk hyn fare. Racizmi është diçka serioze, nuk mund të kalohet në këtë mënyrë. Kjo nuk është luftë kundër racizmit. Sëmundja që kisha disa vite më parë ishte thjesht një shëtitje në krahasim me këtë situatë të ditëve të fundit. Në atë kohë nuk pata frikë, ndërsa urrejtja këtë herë ishte shumë e madhe. Kam punuar shumë për të larguar etiketimet që më bëheshin kur isha i ri dhe doja të isha shembull për të rinjtë. Rrezikova që të humbja gjithçka për një çast. Të gjithë nisën të më gjykonin përpara sesa ta bënin organet përkatëse. Dhe për shumë njerëz vazhdoj të jem ende një racist. Titujt e mediave nuk ndihmojnë aspak. Nuk dua që të shfajësoj veten, por thjesht të jem i qartë. Të gjithë e dinë se çfarë lojtari jam unë dhe çfarë karakteri kam. Kurrë nuk mund t’ia toleroja vetes diçka të tillë. Zhezus u keqkuptua në fushën e lojës dhe këtë e kam thënë që nga momenti i parë”, shtoi më tej.

FUTBOLLI- Mbrojtësi veteran foli gjithashtu për sezonin dhe dëshirën për zbritur në fushën e lojës ditën e hënë kundër Empolit. “Jam shumë i lumtur që do të luaj. Shpresoj që kur të fitoj titullin me Interin ta kem kokën lart sepse nuk kam bërë asgjë negative. Unë flas me shokët e skuadrës. Flas me Turamin për këtë histori sepse ata e dinë çfarë njeriu jam. Europiani? Nuk pres asgjë, por preferoj të mos them asgjë në lidhje me kombëtaren. Dua thjesht të diskutoj gjithçka me trajnerin Spaleti. Jam i lodhur me këtë situatë dhe nuk dua të flas më kurrë”, përfundoi mbrojtësi italian.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"