Estradë e Vllaznisë, revoltohen shkodranët. Amarildo Belisha, fund futbollit pas 15 vitesh

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Maj 11, 2014 | 22:59

Estradë e Vllaznisë, revoltohen shkodranët. Amarildo Belisha, fund futbollit pas 15 vitesh

Vllaznia-Teuta 1-1Estrada shkodrane irriton tifozët. Vl laznia ka mbijetuar në Superiore, por duke humbur 1-3 përballë Teutës në “Loro Boriçi”. Lajmi që Besa bojkotoi ndeshjen me Tiranën ka “qetësuar” shkodranët, të cilët dje zbritën të qetë në fushë dhe pa motivacion. Në fakt, ultrasit kuqeblu prisnin një dhuratë prej lojtarëve të tyre, për mbështetjen e vazhdueshme dhe pa kushte. Mirëpo indiferenca e mbrojtjes në fushë, sidomos në pësimin e golit të dytë, solli shpërthimin e tifozëve në shkallët e stadiumit. Shishe dhe fishekzjarrë në drejtim të lojtarëve të tyre, në shenjë revolte. Madje fishekzjarrët, që i kishin marrë për të festuar, këtë herë i hodhën me mllef në fushë. Ky moment solli edhe ndërprerjen e lojës për pak minuta. Një irritim që ka zgjatur përgjatë gjithë kësaj pjese, madje edhe pas vërshëllimës së fundit. Tifozët shkodranë kanë shkuar më larg, duke i kujtuar ekipit të tyre se ka qenë pikërisht Teuta që para pak vitesh ia ka hequr nga dora Vllaznisë titullin.
Pjesa e parë Loja ka nisur e qetë, teksa të dyja skuadrat nuk kanë rrezikuar shumë, madje po tentonin që të fitonin terren ndaj njëra-tjetrës. Xhafaj dhe Samb në këtë fraksion kanë ndeshur gatishmërinë e portierit Vujadinoviç, ndërsa Vllaznia nga ana e saj ka rrezikuar përmes kroatit të sulmit Tomisllav Bushiç dhe shkodranit Arsen Hajdari. Në minutën e 36-të të kësaj përballje, ka qenë Kruja, që me një goditje të saktë nga jashtë zone ka shënuar golin e parë të këtij takimi. Një gol që ka kënaqur tifozërinë e shumtë shkodrane. Kjo krijoi përshtypjen se kuqeblutë do të merrnin më të mirën nga ky takim. Mirëpo, krejt e kundërta e asaj që ekipet paraqiten në pjesën e parë ka ndodhur në të dytën.
Pjesa e dytë Shkodranët duket se kanë ndryshuar plotësisht pas pushimit. Ata, pasi morën vesh se Besa ra nga kategoria, u futën në fushë pa impenjim. Që në startin e kësaj pjese, konkretisht në të 47-ën minutë, ka qenë Jakupi që shënon, pas një lëmshi në portën e Vujadinoviç dhe 1-1. Një gol që u kontestua nga shkodranët. Por, pa u mbyllur mirë dy minuta nga goli i parë, ka ardhur i dyti. Në të 49-ën minutë Xhafaj, pas një indiference totale të lojtarëve vendës, nuk e ka të vështirë ta dërgojë topin në rrjetë dhe 1- 2. Ky pasivitet është përkthyer në lëshim total nga tifozëria kuqeblu, madje shpërthyen në akuza ndaj lojtarëve. Shkodranët përpiqeshin që të justifikoheshin, me ndonjë rast tek-tuk të Bushiç. Kroati ka qenë i vetmi shqetësim për portën mike, përmes tre tentativave të tij në një hark të shkurtër kohor. Megjithatë, porta e Teutës nuk u cenua. Kjo i dha udhë edhe golit të tretë të durrsakëve, të cilët në të 90- ën minutë me anë të Samb vulosën shifrat në 1-3. Vllaznia shpëton një sezon, por edhe arrin në takimin e fundit të tij të jetë altruiste. Sakaq, Teuta mbetet e katërta dhe tashmë pret verdiktin nga finalja e kupës për të prerë një biletë në Europë.

HAXHIOSMANOVIÇ
Dervish Haxhiosmanoviç në fund të ndeshjes tha se ekipi i tij nuk kishte motiv. “Nuk fituam, por mbijetuam! Nuk kishim motivin e duhur, pasi në momentin që mësuam faktin se Besa nuk luajti fare në Tiranë, skuadrës i humbi motivi. Për mendimin tim, nuk kishte tolerim. U lutem tifozëve shkodranë që ta harrojnë këtë ndeshje, sepse ka qenë një ditë shumë e vështirë”, – tha “Deda”.

BITURKU
Ilir Biturku u shfaq i kënaqur për fitoren dhe tani pret verdiktin e finales së kupës. “Erdhëm në Shkodër për të fituar. Ende nuk jemi në Europë, por shpresojmë që të kemi një rezultat në favorin tonë nga finalja e kupës. Sa i përket tolerimit, mendoj që në të tilla ndeshje janë motivacionet ato që japin dhe bëjnë diferencën në fushën e lojës”, – u shpreh trajneri.

belisha-me-hirit-kapiteni-gjekaBelisha i jep fund futbollit pas 15 vitesh
Kapiteni i Vllaznisë, Amarildo Belisha, i ka dhënë fund futbollit të luajtur. Pas 15 vitesh karrierë, ai dje vendosi që “të varte këpucët në gozhdë”. Një vendim të tillë në fakt askush nuk e dinte, madje edhe shokëve të ekipit ua komunikoi gjatë paradites. Lojtari tregoi se kishte menduar se ajo e djeshmja ishte dita e duhur për t’i dhënë fund, pasi kishte diskutuar edhe me familjen e tij. Mesfushori 33-vjeçar ka qenë pjesë jo vetëm e skuadrës së Vllaznisë, por edhe ekipeve të tilla, si Flamurtari dhe Besa në Kategorinë Superiore. Ai dje në përballje me Teutën ka dalë në fushën e lojës duke dorëzuar edhe shiritin e kapitenit. Me dy djemtë e tij në krah, lojtari dha lamtumirën mes duartrokitjeve. Nga sa mësohet, Belisha do të vazhdojë të jetë pjesë e futbollit, por tani si trajner.

Kjo nuk është Vllaznia jonë!
Nga SENAD NIKSHIQI
Kjo nuk është Vllaznia ime! Jo, jo! Kjo nuk është Vllaznia jonë! Kjo nuk është Vllaznia e shkodranëve! Nuk e dimë se e kujt mund të jetë, por e jona nuk është! Një shfaqje e turpshme përballë Teutës që kurrsesi nuk mund të kapërdihet. Një skuadër, e cila tallet me një qytet të tërë. Edhe pse borxhlinj ndaj tifozëve të mrekullueshëm shkodranë, Vllaznia bën si t’i dojë qejfi. Kur pritej një fitore falënderuese e kuqebluve ndaj publikut të tyre, vjen kjo humbje qesharake. Kjo Vllazni zemërgjerë që i hap portën kujtdo që ja kërkon pa marrë parasysh asgjë. Ende është e freskët ajo humbje e katër viteve më parë e Vllaznisë me Teutën dhe megjithatë duket se tashmë morali ka vdekur. Revolta e tifozëve është legjitime. Irritimi i tyre është i drejtë. Asnjëherë në historinë e saj mijëvjeçare shkodranët nuk kanë duruar padrejtësitë edhe kësaj here nuk mundën ta përtypin poshtë. Shfaqja teatrale, e cila pranohet haptazi nga të gjithë, edhe nga pjesë e ekipit edhe nga stafi teknik, edhe nga kushdo. Ka mjaftuar mosparaqitja e Besës në Tiranë, në mënyrë që në dhomat e zhveshjes lojtarët të “urdhëroheshin” për të bërë maksimumin që Teuta ta fitonte ndeshjen. Dukej sikur Vllaznia luante në Lushnjë, Krujë, Kavajë, Tiranë apo ndonjë fushë tjetër. Nganjëherë përhumbnim, duke harruar se sfida po luhej në “Loro Boriçi”. Publiku është gjykuesi më i drejtë dhe e tha fjalën e vet. Një reagim i fortë. Fluturuan edhe fyerje e sharje që tejkalojnë çdo kod etik. Në mënyrë ironike thirrjet “Laçi! Laçi!” nga tifozët e Vllaznisë ishin tejet kuptimplotë dhe një tregues i qartë i protestës e revoltës. Askush nuk mund ta shpjegojë se si një skuadër aq haptazi, në sytë e të gjithëve, të tolerojë e ta hapë portën sikur të ishte “han”. Një ngjarje e pakëndshme që njollos futbollin shkodran! Një humbje e turpshme që nuk i shkon për shtat Shkodrës e as futbollit! Do të kalojnë vite, breza e breza, ndërsa ky makinacion i turpshëm, që ka fatin e keq të jetë në duart e të papërgjegjshëmve, do të mbetet gjatë ashtu siç shumëçka ka mbetur, edhe pse mbyllin sy e veshë sikur vijnë nga një planet tjetër! Ndonjëherë historia është ndëshkuese e ndërsa kujtesa nuk tretet kurrë! Vllaznia të paktën për një ditë na çnderoi!





www.minuta90.com