Emini habitet me gafat: Arbitrat në Maqedoni, më të përgjegjshëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2016 | 15:14

Emini habitet me gafat: Arbitrat në Maqedoni, më të përgjegjshëm

Izair Emini e cilëson të pamerituar humbjen në kryeqytet. “Bomberi” i Kukësit në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” analizon takimin e fundit, flet për të radhës, por nuk heziton që të bëjë edhe një krahasim mes gjyqtarëve shqiptarë dhe atyre në Maqedoni.emini Sipas tij, “bluzat e zeza” në kampionatin fqinj janë më të përgjegjshëm, ndërsa këtu gafat i kanë të njëpasnjëshme. Sulmuesi komenton edhe “ultimatumin” e Safet Gjicit, të cilin e konsideron të realizueshëm.

Pas humbjes me Partizanin, ndiheni të penalizuar nga gjykimi?

Të gjithë e panë që arbitri ndikoi direkt në rezultat dhe rrjedhimisht te loja jonë. Nëse nuk do të ishte ashtu, do flisnim ndryshe. Tashmë ne e lamë pas atë takim, edhe pse ka pasoja të rënda. Nëse do të merrnim një rezultat të mirë, do të ishim më të qetë edhe në renditje. Por nuk dorëzohemi, pasi gara vazhdon.

Ka diferenca mes jush dhe ekipeve të tjera që janë më lart në renditje?

Partizani nuk ka asgjë më shumë se ne, madje ne treguam një lojë më të mirë se kundërshtari. Ata na erdhën një herë në portë dhe shënuan, ndërsa ne shumë herë dhe në dy raste na u mohuan penallti.

Çfarë note do t’u vendosnit arbitrave, nëse do t’i krahasonit me ata në Maqedoni?

Në këtë aspekt, në Maqedoni janë më të saktë dhe më korrektë arbitrat. Për kaq kohë që luaj unë në Shqipëri kam parë shumë gafa. Madje, gabimet bëhen edhe nga arbitrat me stemën e FIFA-s, gjë që në Maqedoni është e pamundur. Gjyqtarët e FIFA-s atje nuk ka shans të bëjnë të tilla gjëra. Në rastet kur arbitra ta këtij kalibri arbitrojnë ndeshjet, ato shkojnë në mënyrën më të mirë të mundshme, pasi ata kanë shumë përgjegjësi dhe shumë respekt për punën e tyre.

Në dijeninë tuaj, çfarë masash merren ndaj gjyqtarëve që gabojnë?

Me sa kam parë unë atje (në Maqedoni) i ndëshkojnë rëndë nëse shkelin rregulloren. Ka dhe atje arbitra me nivel jo të lartë, por janë të paktë. Futbolli i fortë dhe i pastër nuk duhet të preket nga të tilla fenomene, siç na ndodhi ne me Partizanin.

Po nga analiza e djeshme me profesor Duron nxorët mësime?

Patjetër që po, në çdo rast ne nxjerrim mësime dhe kur fitojmë, ashtu dhe në këtë rast, që megjithëse çfarë ndodhi ne pamë gabimet tona. Tashmë po mundohemi t’i evitojmë dhe të mos i përsërisim më. Shpresoj që në ndeshjen me Flamurtarin të jemi sa më perfektë.

Tashmë prisni Flamurtarin, si e parashikoni këtë duel?

Është një ndeshje shumë e fortë, pasi Flamurtari ka një ekip shumë të mirë, por mbi të gjitha ka një trajner të zotë. Unë e njoh trajnerin e atyre, është një teknik i cili kërkon shumë, luan një futboll shumë agresiv, bën shumë presing në lojë dhe ndaj do ta kemi të vështirë, por besoj se do t’ia dalim, pasi na nevojiten pikët për të kapur objektivat tona.

Doni ndonjë “dhuratë” nga Tirana-Teuta, pasi janë rivalët tuaj direkt për Europën?

Ne do hyjmë në fushë për të marrë maksimumin. Nuk ka më arsye për të lënë pikë, pasi Tirana dhe Teuta t’ju them të drejtën janë goxha pikë para, ndaj ne do marrim tri pikët në këtë ndeshje, por edhe në tre takimet e ardhshme.

Meqenëse dolët te “ultimatumi” i presidentit, 4 fitore radhazi janë të realizueshme?

Në Shqipëri nuk ka ndeshje të lehta. Të gjithë kundërshtarët është e vështirë që t’i mundësh, pasi secila lufton për diçka, kështu që puna bëhet më e vështirë. Gjithsesi, ne do të japim maksimumin dhe do t’i arrijmë, pasi vetëm në këtë mënyrë realizojmë objektivin dhe ngjitemi aty ku duhet.

Keni dy ndeshje që nuk shënoni, çështje fati apo diçka tjetër?

Po, është e vërtetë që ka dy ndeshje që nuk po arrij të shënoj, por që jam i bindur që shumë shpejt do ta gjej rrjetën. Është pak edhe çështje fati, por nuk demoralizohem. Do bëj maksimumin që të shënoj dhe ta ndihmoj Kukësin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"